Lidhje

Lobizmi dhe korrupsioni politik


Lobizmi, apo ndikimi tek vendimmarrjet e politikës është një traditë e vjetër në Shtetet e Bashkuara. Por ky proces, është në të njëjtën kohë një biznes tërheqës, apo lakmitar dhe ata që merren me të shpeshherë thyejnë ligjin. Korrespondantja e Zërit të Amerikës Jela De Franceski u hedh një vështrim pasojave, kur lobistët i kapërcejnë kufijtë e biznesit të ndershëm, si dhe mënyrave për të kontrolluar veprimtarinë e tyre, kur ajo nuk zhvillohet në përputhje me rregullat.

Vitin e kaluar, ish-lobisti i fuqishëm Jack Abramoff u dënua me afro 6 vjet burgim, pasi pranoi fajësinë për planet për t’i dhënë rryshfet zyrtarëve publikë. Fillimisht, ai u kap për mashtrimin e 4 fiseve indiano-amerikane, që i paguan atij dhjetra miliona dollarë. Por, duke punuar me aktivistët fetarë konservatorë, ai ndihmoi në mbylljen e njërës prej kazinove, pronë e këtyre fiseve. Dhe më pas, Abramoff i bindi ata t’i paguanin 4,2 milionë dollarë, në përpjekje për të ushtruar ndikimin e tij në Kongres për rihapjen e kazinos. Abramoff, jo vetëm që kishte marrë nam për vënien e një klienti kundër tjetrit, por edhe për dhënien e dhuratave të dyshimta ligjvënësve. Ja si shprehet Massi Ritsch, e Qendrës së Politikave Përgjigjëse. "Jack Abramoff u jepte rryshfete ligjvënësve. Ai u ofronte atyre para për fushata, në shkëmbim të votave. Ai u jepte atyre dhurata, i qeraste, u paguante udhëtime jashtë shtetit, bileta sporti dhe punësonte pjesëtarët e familjeve të tyre, si dhe të afërm të punonjësve të tyre".

Lobistët shpeshsherë përpiqen të sigurojnë fonde për klientët e tyre përmes praktikave të quajtura “rezervim i parave”. Këto metoda njihen gjithashtu me termin “shpenzime me paratë e shtetit”. Këto janë fonde, apo përfitime nga taksat për biznese të veçanta, projekte, apo institucione. Allan Lichtmann është pedagog i historisë së politikës në Universitetin Amerikan në Washington. "Nganjëherë ka me mijëra “para të rezervuara”, që përdoren për ligje të veçanta, për shembull, si ai i transporteve. Kështuqë, një shtet i veçantë siguron para për objekte si rrugët, urat, portet, bibliotekat dhe muzeumet. Një nga shembujt më të famshëm të përdorimit të “parave të rezervuara” në vitet e fundit, ishte një senator nga Alaska, i cili mori disa qindra miliona dollarë për një urë, e cila nuk nevojitej fare të ndërtohej".

Por analistë të tjerë thonë se kur është fjala për çështje të rëndësishme, më tepër tek ligjvënësit ndikojnë anketimet. Ja si shprehet John Samples, i Institutit Cato në Washington:"Kur një çështje publikohet, pra kur ajo del në shtyp, kur një numër më i madh njerëzish në Washington shprehin interes për të, mëson se faktori më i rëndësishëm është opinioni publik. Si reagon publiku? Çfarë kërkon ai? Ligjvënësit njohin mirë pikërisht ato që kërkojnë njerëzit". Në Washington ka tani 14 mijë grupe të interesave të veçanta, apo lobiste dhe përhapja e tyre pasqyron në fakt përmasat e qeverisë. Nëse në afat të gjatë përmasat e qeverisë zvogëlohen, në këtë rast, edhe numri i organizatave lobiste do të pësonte të njëjtën gjë. //rd//

XS
SM
MD
LG