Lidhje

New Jersey ndalon dënimin me vdekje


Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një moratorium mbi dënimin me vdekje me synimin përfundimtar për ta eliminuar këtë praktikë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon e përshëndeti këtë votim, duke e cilësuar si një hap të guximshëm të komunitetit ndërkombëtar. Rezoluta u kërkon të gjitha vendeve që ende praktikojnë dënimin me vdekje të respektojnë standartet ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e të dënuarve. Kjo votë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pason miratimin e një ligji që ndalon dënimin me vdekje në shtetin New Jersey.

New Jersey është shteti i parë amerikan në mbi 4 dekada që ndalon dënimin me vdekje. Guvernatori Jon Corzine e nënshkroi ligjin e ri të hënën.

"Mendoj se ky është veprimi i duhur, pasi është i moralshëm, e ndjej në zemër dhe në shpirt, për këtë arsye e shoh si të tillë."

Masa e re shpëton nga ekzekutimi 8 të dënuar me vdekje në New Jersey, përfshirë Jesse Timmendequas, i dënuar më parë për krime seksuale dhe për vrasjen e 7-vjeçares Megan Kanka në vitin 1994. Kjo çështje çoi në miratimin e Ligjit të Meganit, i cili u kërkon agjencive të rendit të njoftojnë publikun nëse në atë komunitet jetojnë persona të dënuar më parë për krime seksuale.

Babai i Meganit, Richard Kanka, shprehu zemërim për këtë vendim të ligjvënësve të New Jerseyt.

"Ajo u mbyt, u përdhunua pas vdekjes dhe trupi iu hodh në një park. Nëse ky nuk konsiderohet si një akt i urryer dhe i pështirë, nuk di se çfarë mendojnë këta njerëz."

Kundërshtarët e dënimit me vdekje e kanë përshëndetur vendimin e New Jerseyt. Ndër ta është Motra Helen Prejean, autore e librit “Dead Man Walking” ku ajo rrëfen përvojën e saj me një të dënuar me vdekje në pritje të ekzekutimit: "Fjala do të qarkullojë në të gjithë globin se një shtet i Amerikës është i pari që tregon se jeta është më e fuqishme se vdekja, se dashuria është më e madhe se urrejtja."

Praktika e ekzekutimit me inxheksion ka qenë në qendër të vemendjes që kur në ekzekutimet e fundit të kryera në Florida dhe Kaliforni i dënuari jetoi 30 minuta pas inxheksionit. Gjykata e Lartë po shqyrton nëse ekzekutime të tilla janë kushtetuese dhe pritet të japë vendimin në muajt e ardhshëm. //bsa//

XS
SM
MD
LG