Lidhje

Kadare: Problemi i Kosovës, një problem i madh i lirisë...


Janë ditët e fundit të vitit 2007, momenti kur i hedhim një vështrim zhvillimit të ngjarjeve më të rëndësishme të vitit: Kosova ndodhet tashme shumë pranë zgjidhjes së stausit të saj; Shqipëria është pranë pranimit në NATO... Pikërisht, për të biseduar mbi disa nga çështjet që lidhen me Kosovën dhe Shqipërinë, Zëri i Amerikës zhvilloi një bisedë telefonike nga Parisi në programin televiziv “Ditari”, shkrimtarin Ismail Kadare.

Zëri i Amerikës: Zoti Kadare, Kosova ndodhet sot më pranë se kurrë më parë, realizimit të aspiratës së saj për pavarësi. Bashkimi Evropian, ndonese jo i unifikuar, si dhe Shtetet e Bashkuara, janë shprehur në favor të njohjes së pavarësisë. Por, ndonëse vëmendja sot është përqëndruar tek zhvillimet e ditës, duket se sfida më e madhe për Kosovën do të jetë periudha që do të pasojë. Si e shikoni ju mbarë këtë proces?

Ismail Kadare: Natyrisht, që problemi i Kosovës po shkon drejt zgjidhjes përfundimtare. Duhet të jetë njeriu i verbër, që mos e shikojë këtë gjë, ose që mos jetë normal që mos ta kuptojë. Problemi i Kosovës nuk ka qenë asnjëherë problem administrativ, politik, fetar, e aq më pak, çështje sentimetale, siç është paraqitur disa here. Ai ka qenë problem i madh i lirisë; liria është problemi numër një i çdo populli dhe problemi i Kosovës, mund të trajtohet edhe vetëm si i tillë, pra si problem vetëm i lirisë; dhe ai u trajtua si i tillë. Kur Evropa Atlantike, e nxitur nga shqiptarët e Kosovës vendosi t’i ndihmonte ata, ajo nderoi vlerat e saj dhe nderoi në radhë të parë, konceptin e lirisë. Zgjatja që ndodhi, ishte një farë tërheqjeje. Ne e kemi përjetuar në sytë tanë këtë, nën një presion të madh të propagandës serbe dhe pastaj asaj ruse, u bë një përpjekje për simetrizim të krimit, dmth, për një ngatërresë, një mjegullim midis xhelatëve dhe viktimave, për të paraqitur Serbinë si viktimë, për të zgjuar keqardhje për të, për të harruar çka ndodhur. Unë jam një europianist i vendosur, dhe gjithmonë kam theksuar dhe theksoj që mirënjohja shiptare për Evropën Atlantike, për Evropën, për Shtetet e Bashkuar, duhet të jetë në jetë të jetëve, do të jetë e pandryshueshme; por kjo s’do të thotë aspak, që ne, të mos themi mendimin tone, kur ka gjëra, kur ne nuk jemi dakord me qëndrimet që mbahen. Në qoftë se do të kihen parasysh për shembull, e vërteta, çka ndodhur në Kosovë, në qoftë se do t’i bëheshin të njohura botës krimet që kanë ndodhur atje, masakrat, shpërnguljet e shqiptarëve, vrasjet e foshnjeve dhe sidomos një krim i madh, për të cilin është folur shumë pak, ose nuk flitet ende, përdhunimi në masë i grave dhe i vajzava të reja në Kosovë, vizioni për atë që ka ndodhur do të ishte shumë më i qartë dhe zgjidhja do të kishte qenë, për mendimin tim, më e shpejtë. Këto nuk i them aspak për revansh, askush nga ne nuk i thotë për revansh, përkundrazi, i them, meqë problemi zgjidhet vërtet në rrënjët e tij, në thellësinë e tij, që të mos ketë dilema më, se dilemat janë shumë të këqia, kur ka probleme të tilla madhore; unë jam për atë, që sytë t’i mbajmë nga e ardhmja, në kërkim të paqes, të mirëkuptimit me popujt fqinj, duke përfshirë, natyrisht edhe popullin serb; por kjo nuk mund të ndodhi me anë të harresës. Populli shqiptar nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë, sepse kështu mund të trajtohet vetëm një popull i dorës së dytë.

Për të ardhur tek pyetja jua, tek sfidat më të mëdha që do të ketë Kosova. Kosova, është, do të jetë dhe ka marrë dhe po merr qysh tani, konturet e një zone shqiptare, evropaine, me të gjitha standartet humaniste të kontinetit evropian. Ai është dhe do të jetë atdhe i të gjithë njerëzve që banojnë dhe jetojnë në të, duke zbatuar të gjitha standartet më të larta në këto norma që ka arritur njerëzimi dhe qytetërimi. Në qoftë se thuhet dy shtete shqiptarë në Ballkan, nganjëherë kjo është një pyetje që zgjon pak habi. Si do të ekzistojnë dy shtete shqiptare në Ballkan? Natyrisaht, që nuk është një zgjidhje e shkëlqyeshme por natyrisht, që është një zgjidhje kompromisi, e vetmja që ngelet tani për tani.

Zëri i Amerikës: Dhe çfarë marrëdhiesh mendoni që do të kenë mes tyre këto dy shtete, ai i Kosovës dhe ai i Shqipërisë?

Ismail Kadare: Unë them se këto do të kenë marrëdhënie krejtësisht të veçanta, dmth nuk them se do të kenë marrëdhëne si dy fqinj, këto janë më tepër se dy fqinjë. Këto janë dy shtete, që kanë një lidhje të brendshme, një lidhje tektonike të brendshme, sepse janë dy shtet të përbëra nga i njëjti komb, sepse janë një komb i ndarë në dy shtete; prandaj dhe do të duhet të kenë marrëdhënie korrekte, në radhë të parë, marrëdhënie të standarteve të larta demokratike, evropiane, dhe marrëdhënie siç ka një pjesë e një kombi, me pjesën tjetër të një kombi, njëkohësisht. Nuk mund të konceptohet ndryshe kjo gjë.

Zëri i Amerikës: T’i kthehemi pak ngjarjeve në Shqipëri. Po mbushen pothuajse dy dekada që nga përmbysja e komunizimit dhe ende nuk mund thuhet se tranzicioni atje ka mbaruar. Shpeshherë, vihet re një ndjenjë pesimizmi për mundësinë e përmirësimit të gjendjes. Nga ana tjetër Shqipëria sot është pranë marrjes së një ftese për anëtarësim në Nato. Si do t’i komentoni ju këto zhvillime në Shqipëri?

Ismail Kadare: Natyrisht, unë e kuptoj gjithë atë ligështimin që përmendët ju, e kuptoj fare mire dhe kjo nuk do të thotë që ne të harrojmë dhe të mos marrim parasysh atë çka ndodhur, kanë ndodhur edhe gjëra të mira në këtë kohë, psh, vetë fakti që ne, nga një vend që prisnim të na sulmonte NATO-ja, ja kishim mbushur mendjen vetes se do të na sulmojë NATO-ja dhe bënim gati disa shtiza dhe disa maja gjilpërash çative, që të mbroheshim prej saj, kurse tani presim ftesën që të hyjmë, kuptohet çfarë ka ndodhur, në botë edhe në Shqipëri; por unë e kuptoj edhe padurimin shqiptar, sepse ky tranzicion, siç thatë ju, zgjati shumë, dhe po kthehet në një fare ngecjeje, ngecje historike; se gati 20 vjet që po bëhen, nuk është më fjala tranzicion që i përshtatet. Problemi që kemi, është se ka disa probleme bllokuese në Shqipëri, që duken nganjëherë banale nga ana e jashtme, por s’janë banale, janë shumë të thella, ai që është problemi i dritave dhe i ujit. Na vjen turp të gjithëve, që duhet të flasim, të merremi me këtë problem. Mirëpo, nuk ka si të mos merremi, sepse kjo është sikur të na ketë ardhur një gjë që nuk ndodh sot në botë, ose në një pjesë të madhe të planetit, të jetë kthyer, ta zemë një sëmundje e Mesjetës, Murtaja, dhe ne të kemi punë me të. Mungesa e ujit dhe dritave, është barbare, është jo e epokës sonë, prandaj na acaron, në fakt, na bllokon në çdo gjë, paralizon vullnetin në këtë vend, krijon ligështim moral; dhe në këtë mënyrë, mungon ai që është normaliteti i jetës. Në këtë mënyrë, Shqipëria s’mund të jetë një shtet i lirë dhe sovran, duke patur këtë problem kaq të rëndë, që në pamje është banal dhe mua më vjen tashti pak zor, që detyrohem të flas për të, kështu na vjen zor të gjithëve, është uji dhe dritat. Uji ka qenë një mjet shtypjeje, historikisht është njohur, mjet dhune; madje ekziston një terminologji, një term që quhet, “diktatura hidrike”, diktatura të bazuara mbi sundimin e ujit, pra diktatura që bazoheshin më tepër se në burgje dhe në polici, në mungesën e ujit, në ndërprerjen e ujit. Natyrisht, që nuk dua të bëj krahasim, pa dyshim, por ne na ka mbetur pra nëpër këmbë, një gjë, një relike e kohërave barbare, e epokave të vdekura. Prandaj, kështu, shpjegohet që në Shqipëri krijohet ky ligështim, me të drejtë, si të thuhet, sepse duke mos zgjidhur disa probleme madhore, ato bllokojnë të tjera dhe bllokimi kalon në zinxhir dhe krijohet ajo që thashë, ngecja.

Zëri i Amerikës: Zoti Kadare, në këto ditë festash, kur sapo lamë pas Bajramin dje dhe presim Krishtlindjet, nuk mund të mos kujtojmë përsëri faktin se shqiptarët gjithmonë janë shquar për tolerancën e tyre fetare dhe mirëkuptimin mes besimeve. Por sot dëgjon herë pas here, qoftë në Perëndim, qoftë nga fqinjët e shqiptarëve në Ballkan, se feja e shumicës së tyre, myslimanizmi, përdoret për argumente të caktuara. Ku mendoni ju se i ka bazat kjo?

Ismail Kadare: Kjo ka një bazë, jo më kot që bëhet me kaq këmbëngulje, natyrisht. Tani, Ballkani shquhet si vendi i krijimit të përrallave, i fantazive. Një nga përrallat që lidhej me problemin e Kosovës ka qënë, që Kosova u shpall për një kohë të gjatë si djepi i serbizmit, Jeruzalemi i serbëve etj, etj., tani po krijohet një përrallë e re, jo më lidhur me serbët, por lidhur brenda një problemi ndërshqiptar – çështja e fesë tek shqiptarët. Shumë të interesuar janë shumë njerëz, që ta theksojnë këtë gjë, ta theksojnë se në Shqipëri ka dy besime ose tre besime, më saktë dhe është e habitshme sepse kjo krijon një lloj surprize tek shumë të huaj sidomos. Kanë qef të surprizohen, të ndjehen të habitur prej kësaj. Unë nuk kam dëgjuar ndonjëherë të them të drejtën që në Evropë ku kjo dukuri është e njohur, njerëzit të habiten për këtë gjë. Në Gjermani, në Francë, në vende të tjera evropiane ka dy dhe disa herë tre besime kryesore. Nuk kam dëgjuar kurrë që një francez të thotë jam francez protestant apo katolik, ose një gjerman ta thotë këtë gjë. Janë gjermanë, janë francezë, tani është shtuar edhe feja myslimane, ku ka ta zemë, në Francë ta zëmë ka më shumë myslimanë sesa në Shqipëri e në Kosovë bashkë. Pra vetëm kjo, për ne bie shumë në sy, ose më tepër ta një theksim me një farë padurimi që nga kjo gjë të ndodhi diçka në Shqipëri.

Harmonia fetare, siç e përmendët ju, ka qënë vërtetë një sfidë e jashtëzakonshme që populli shqiptar i ka bërë në radhë të parë historisë së vet, që nuk e ka lejuar atë të preket dhe që po i bën në një farë mënyre mendësisë botërore, evropiane. Ku e ka bazën tani gjithë kjo pritje e gjatë që të ndodhi diçka me këto fe? Kjo e ka bazën tek një ide e mbrapshtë, e vjetër, që shqiptarët nuk janë evropianë; shqiptarët duke qënë se kanë një pjesë të madhe myslimanësh midis, këta myslimanë shqiptarë së paku, në qoftë se s’janë të gjithë shqiptarët evropianë, së paku myslimanët shqiptarë s’janë evropianë, domethënë shumica e tyre. Kjo është një tezë e mbrapshtë, me një qëllim të caktuar, që lidhet me krimet e vjetra dhe me projekte të ardhshme të cilat jam i bindur që nuk do të kryhen kurrë. Domethënë, kush janë krimet e vjetra që lidhen me këtë? Shpërngulja – ka qënë një doktrinë antishqiptare. Shpërngulja ka qënë një mënyrë që ne e kemi provuar. Kosova sot do të kishte 3 milionë banorë në qoftë se nuk do të kishte disa shpërngulje të tmerrshme në vitet 30 dhe 40, shpërngulje të mëdha në Turqi. Domethënë ata shqiptarë që kanë qënë 300 – 400 mijë në atë kohë që kanë ikur do të ishin një milionë. Pra shikoni se si shpërngulja është një mjet që është shfrytëzuar dhe ky mjet vazhdon të jetë në projektet e mbrapshta, të besohet gjithmonë, të ëndërrohen gjëra të shkuara, që të bëjnë që të quhen shqiptarët miq të huaj për kontinentin evropian. Domethënë "ne", serbët e të tjerë, janë evropianë dhe shqiptarët nuk janë, meqënëse kanë këtë problemin e fesë. Këtu është prapavija, mendoj unë, e keqe e këtij problemi që neve me sukses, populli ynë, kombi ynë e ka sfiduar, duke vërtetuar se myslimanët shqiptarë janë po aq, ndihen anëtarë të kontinentit, pjesëtarë të këtij kontinenti që quhet Evropë, po aq sa katolikët, po aq sa të tjerët, ortodoksët, ateistët etj., etij.

Zëri i Amerikës: Zoti Kadare, në Shqipëri po botohet Vepra Juaj e Plotë. Tashmë kanë dalë në treg dy vëllimet e para të saj. A vazhdon të jetë i njëjti interes për librin në Shqipëri?

Ismail Kadare: Ka shumë fjalë që ka rënë interesi për librin, ky është një diskutim botëror. Unë mendoj, se nuk ka rënë interesi aq sa mendohet. Ka një farë rënie relative, që është e shpjegueshme por në Shqipëri për fat të mirë, gjithmonë kam konstatuar se lexuesi i mirë shqiptar që mbetet gjithmonë lexuesi i mirë shqiptar, ka interes për librin e për letërsinë e mirë dhe do ta mbajë këtë interes. Unë nuk jam pesimist për këtë gjë. Natyrisht, për t’i kthyer tek problemet që folëm më lart, kur kemi ato problemet bllokuese, si çështja e dritave, me siguri edhe shkrimtarët shqiptarë, me një trishtim mendojnë që ja u bë errësirë, secili ka hallet e veta, siç ka çdo familje dhe çdo ndërmarrje; por shkrimtarët kanë edhe atë problemin e tyre që librat e tyre në atë kohë nuk lexohen, si të thuash dhe e konstatojnë këtë gjë me trishtim. Ja pra, si lidhen problemet në Shqipëri, por unë po kthehem tek ajo, që lexuesi shqiptar ka mbetur amator i kulturës dhe i letërsisë veçanërisht.

Zëri i Amerikës: Zoti Kadare, ju faleminderit për intervistën dhe gëzuar festat!

Ismail Kadare: Faleminderit dhe gëzuar edhe juve!

XS
SM
MD
LG