Lidhje

Opozita zhvilloi një manifestim proteste në sheshin qëndror të Tiranës


Në Shqipëri, opozita u mblodh sot në një manifestim proteste në sheshin qëndror të kryeqytetit.

Disa mijëra qytetarë iu bashkuan thirrjes së partive të majta për të protestuar për mungesën e dritave, ujit, apo për korrupsionin, i cili sipas opozitës vazhdon të jetë në nivele të larta. Këto përbënin edhe slloganet kryesore të pankartave, që manifestuesit mbanin në duar.

Në mitingun e sotëm e morën fjalën drejtuesit e të gjitha partive opozitare, që janë në aleancë kundër qeverisë së kryeministrit Sali Berisha. Shumica në pushtet akuzohet se nuk ka mbajtur premtimet dhe se ka çuar drejt një varfërie më të thellë shqiptarët, se po godet institucionet e pavaruara për t'i vënë ato nën kontroll.

Ky miting, theksuan drejtuesit e opozitës, tregon se shumica e shqiptarëve kërkojnë ndryshimin sa më shpejt të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Sali Berisha.

Kryetari i partisë socialiste, Edi Rama tha se pas 17 vjetësh Shqipëria nuk është ende një vend i lirive dhe të drejtave të garantuara, por ajo e diktaturës së korrupsionit, një vendi me papunësi dhe varfëri. Zoti Rama akuzoi jo vetëm kryeministrin por edhe presidentin Topi, i cili sipas tij u zgjodh nga shitblerja e votave në parlament. Ai kerkoi bashkimin e të gjithë shqiptarëve kundër politikave të qeverisë.

Sipas opozitës, protestat do të vazhdojnë në të gjitha sheshet e Shqipërisë, pasi vetëm kështu mund të dëgjohet zëri i qytetarëve. (ze)

XS
SM
MD
LG