Lidhje

Kakavijë: Qindra emigrantë bllokohen në anën greke të kufirit


Disa qindra emigrantë shqiptarë janë bllokuar prej mëngjesit të së shtunës në anën greke të Pikës Kufitare të Kakavijës. Sipas autoriteteve shqiptare të kufirit radha prej disa kilometrash e automjeteve është krijuar prej kthimit masiv të shqiptarëve për festat e fundvitit si dhe prej praktikave të ngadalta kufitare në anën greke.

Konsulli i Përgjithshëm shqiptar në Janinë Esheref Shehu dhe zyrtarë të policisë së Gjirokastrës zhvilluan sot një takim të përbashkët me drejtuesit e lartë të doganës greke duke kërkuar përshpejtimin e përpunimit të mjeteve.

Autoritetet greke janë vënë shpesh nën kritika për problemet që u krijojnë emigrantëve shqiptarë veçanërisht në raste të kthimeve masive siç është ky i festave te fundvitit. Pala greke ka deklaruar se Pika Kufitare nuk i ka kapacitetet për të përpunuar më shumë se pesë mijë persona në 24 orë.

Të dy vendet kanë premtuar se do të shtojnë investimet per këtë Pike kufitare për të përballuar ritmin e lartë të qarkullimit por deri tani nuk janë paraqitur projekte konkrete.//ii

XS
SM
MD
LG