Lidhje

Rajs: Kosova nuk do të jetë më kurrë pjesë e Serbisë


Sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice tha dje se Kosova nuk do të jetë më kurrë pjesë e Serbisë dhe të gjithë ata që janë të interesuar duhet të përpiqen për një zgjidhje të qëndrueshme në Ballkan të mbështetur në këtë realitet. Në një konferencë shtypi për fundin e vitit zonja Rice premtoi dialog me Serbinë dhe Rusinë, që janë kundër pavarësisë së Kosovës.

Zonja Rice nuk shprehu mbështetjen për ndonjë afat të caktuar për pavarësinë e Kosovës, por e bëri të qartë se parashikon që ajo të jetë e pavarur dhe u kërkoi të gjitha palëve të angazhuara me këtë çështje që ta pranojnë këtë realitet.

Raundi i fundit i bisedimeve mes zyrtarëve kosovarë dhe serbë të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia përfunduan pa rezultat.

Serbia me mbështetjen e Moskës, kishte ofruar një shkallë maskimale autonomie, por jo pavarësinë.

Pas bisedimeve, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian e kanë bërë të qartë e bënë të qartë se mbështesin pavarësinë në bazë të planit Ahtisaari.

Udhëheqësit e Kosovës kanë thënë se do ta shpallin pavarësinë në fillim të vitit të ardhshëm.

E pyetur për këtë mundësi, zonja Rice tha se do të jetë e rëndësishme të merren vendime për statusin e Kosovës gjatë javëve të ardhshme ose në të kundërt do të kishte paqendrueshmëri.

“Fakti është që Kosova dhe Serbia nuk do të jenë kurrë më pjesë e një shteti. Mendoj se kjo është e qartë. Kjo ishte madje edhe logjika e rezolutës 1244 për statusin e veçantë që iu dha Kosovës, si rezultat i luftës. Dhe më e rëndësishmja është që këta dy popuj të mendojnë për të ardhmen”.

Zonja Rice tha se Shtetet e Bashkuara po bashkëpunojnë ngushtë me Bashkimin Evropian, si edhe me udhëheqësit e Kosovës për të theksuar përgjegjësitë e tyre sipas planit Ahtisaarit, ndërkohë që po garantojnë Serbinë për të ardhmen e saj në institucionet evropiane, nëse ajo e pranon një tranzicion të tillë.

Plani Ahtisaari parashikon masa të hollësishme për mbrojtjen e të drejtave të pakicës serbe në Kosovë. NATO-ja ka 16 mijë trupa në Kosovë dhe ka premtuar që t’i mbajë ato atje për një afat të pacaktuar. Bashkimi Evropian javën e kaluar mori angazhim të dërgojë një mijë e 800 forca policie dhe sigurie.

Zonja Rice tha në fillim të kësaj jave se nuk parashikon që Rusia, ose Serbia të kërcënojnë kosovarët, apo të destabilizojnë Ballkanin dhe shtoi se nuk do të ishte në interesin e tyre ta bënin një gjë të tillë.

Të enjten, në një intervistë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Moska do t’i vërë veton çdo përpjekjeje brenda Kombeve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës. Ai tha se përpjekjet për zgjidhjen e kësaj çështjeje jashtë OKB-së do të ishin një hap më pranë drejt fundit të kësaj organizate.

Moska thotë se njohja e Kosovës megjithë kundërshtimin e Beogradit do të përbënte një precedent të rrezikshëm për rajonet e tjera evropiane me ndjenja separatiste. //kk//

XS
SM
MD
LG