Lidhje

Koralet në rrezik nga ngrohja globale


Një studim i ri i publikuar nga revista Shkenca paralajmëron se pjesa më e madhe e koraleve nuk do të arrijnë t’i përballojnë rritjet e shpejta të temperaturave globale dhe dioksidit të karbonit në ajër. Raporti thotë se mirëqenia e 100 milionë njerëzve në komunitetet bregdetare është në rrezik. Korrespondentja Zulima Palacio u hedh një vështrim zbulimeve të reja para Vitit Ndërkombëtar të Koraleve 2008.

Shkencëtarët e jetës nënujore parashikojnë se brenda 50 deri në 75 vjet koralet në oqeane mund të zhduken. Studimi i tyre botuar në revistën Shkenca, bazohet në vite vëzhgimi, dhe fajëson dy faktorë për kërcënimin e strukturave më të mëdha të gjalla në botë.

Mark Eakin është koordinatori i organizatës Coral Reef Watch në Administratën amerikane kombëtare të Oqeaneve dhe Atmosferës: “Ne besojmë se një rritje prej dy gradësh celcius, më shumë seç kemi parë gjatë 100 vjetëve të fundit, do të jetë një nivel shumë kritik për koralet. Pёrveç kësaj një rritje në dioksidin e karbonit në atmosferë shkakton jo vetëm rritjen e temperaturës por ndryshon edhe përbërjen kimike oqeanit duke rritur nivelin e aciditetit.”

Studimi i zhvillua nga 17 shkencëtarë të jetës ujore nga e gjithë bota, në partneritet me organizata si Global Environment Facility, Bankën Botërore dhe NOAAn. Zoti Eakin shpjegon se ngrohja e oqeaneve dhe rritja e aciditetit shkakton gëlqerizimin dhe vdekjen e koraleve. Studimi konstaton se pasojat do të ishin përmbytjet, erozioni e bregdetit dhe humbja e ushqimit. Këto imazhe janë tani një shembull i qartë dhe i zakonshëm i gëlqerizimit të koraleve. “Koralet janë shumë të rëndësishme. E para, ata janë një nga ekosistemet më të shumëllojshme në mjedisin nënujor. Ka më tepër lloje peshqish në mjediset koralore sesa në të gjithë oqeanet të marra së bashku.”

Në rajonin e Karaibeve, raporti thotë se një industri turizmi dhe zhytjeje me polumbarë 100 miliard dollarëshe varet nga mirëqenia e koraleve dhe plazheve pranë tyre. “Rreth dy miliard vetë në Azinë Juglindore varen tek peshqit që jetojnë në korale si burim kryesor proteinash.” NOAA ka 33 stacione vëzhgimi në Amerikën e Veriut dhe të Jugut të cilat kanë mbledhur të dhëna mbi ndryshimin e klimës. Sipas studimit, ndryshimi po ndodh shumë shpejt. “Po shohim rritje të temperaturave në përmasa që nuk i kemi parë gjatë qindra mijë vjetëve të fundit. Pra, problemi qëndron në faktin se, megjithëse koralet mund të përshtaten, ata nuk mund ta bëjnë këtë aq shpejt sa t’i përshtaten ndryshimeve të mëdha.”

Shkencëtarët vlerësojnë se të paktën 30 përqind e koraleve të botës janë tashmë të gëlqerizuara. Studimi bën thirrje për masa drastike për të shpëtuar sa më shumë korale. Ai gjithashtu u kërkon krerëve botërorë të pakësojnë çlirimin e dioksidit të karbonit, të ndalojnë peshkimin e tepruar dhe zhvillimin e paqendrueshëm. Zoti Eakin thotë se është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë se jeta në oqeane varet gjithashtu nga masa të ngjashme të marra nga individët dhe qeveritë lokale. //rd//

XS
SM
MD
LG