Lidhje

Çekët shijojnë privilegjet e Shengenit, bëjnë pazaret në Austri


Qytetarët e Austrisë dhe të Republikës Çeke patën sot mundësinë të shijojnë një udhëtim në vendin fqinj pa u dashur të kalojnë nëpër procedurat zakonisht të mërzitëshme të kontrollit të pasaportave.

Kamionët dhe automjetet e tjera e kaluan sot kufirin pa u ndaluar nga autoritetet kufitare në pikëkalimin Znojmo, midis Austrisë dhe Republikës Çeke, tani që udhëheqësit europianë kanë njoftuar se po i japin fund kontrolleve kufitare përgjatë një territori që zgjatet nga Deti Baltik e deri në Adriatik. Republika Çeke është njëra ndër vendet e reja anëtare të Bashkimit Europian që hyn në zonën e ashtuquajtur të Shengenit, zonë në të cilën është eliminuar kontrolli i pasaportave në kufi.

Dhe sot, qytetarët e këtij vendi nuk e lanë pa shfrytëzuar rastin për ta bërë pazarin në Austrinë fqinje, thjesht për një ndryshim në prag të Krishtlindjeve. Të premten, kudo në Bashkimin Europian u zhvilluan ceremoni festive me rastin e hyrjes së 9 vendeve ish komuniste në zonën e Shengenit, që zyrtarisht u realizua mesnatën e së enjtes.

Udhëheqësit europianë e kanë quajtur këtë një moment historik. Por hapja e kufijve e ka detyruar njëkohësisht Bashkimin Euroopian të forcojë kontrollet në kufijtë e tij lindorë për të mos lejuar depërtimin e bandave kriminale, të imigrantëve të paligjshëm dhe të terroristëve. //ii

XS
SM
MD
LG