Lidhje

Peshkopi Ilia Ketri u uron shqiptarëve Gëzuar Krishtlindjet


Këto ditë, në Kishën Ortodokse të Bethesdës, në Maryland, ishte i ftuar për të mbajtur një meshë Hirësia, e Tij, Peshkopi Ilia Ketri, i Kishës Ortodokse të Shqiptarëve të Amerikës. Peshkopi Ilia, gjatë 4 vjetëve të fundit ka udhëtuar vazhdimisht nga Shtetet e Bashkuara për në Shqipëri, për të ndihmuar Kishën Ortodokse Shqiptare dhe në hapjen e Akademisë Teologjike në Manastirin e Shën Vlashit.

Në Kishën Ortodokse të Shën Gjergjit, në Bethesda, pranë Uashingtonit, Hirësia e Tij, Peshkopi Ilia Ketri, i Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës predikoi kohët e fundit në një mesë të së dielës.

“Unë jam Episkopi i Patriarkanës Ikumenike të Kostandinopojës, të Stambollit, i caktuar për besimtarët shqiptarë shqipfolës, ortodoksë të Amerikës. Kjo do të thotë, që edhe ne kemi një përgjegjësi drejt komunitetit shqiptar, në përgjithësi, në Amerikë.”

Peshkopi Ilia, predikon shqip në kishën greke, për komunitetin e shqiptarëve të zonës së Uashingtonit, ku ende nuk ka një kishë shqiptare....Tema e predikimit të Hirësisë së tij, është miqësia e sinqertë, dashuria dhe paqja mes njerëzve.

Jeta dhe puna e Peshkopit Ilia, i lindur dhe i arsimuar në Shtetet e Bashkuara, tani kanë marrë përmasa të tjera, ato shtrihen mes Shqipërisë dhe Amerikës. Këto 4 vitet e fundit ka punuar shumë për zhvillimin e Kishës Ortodokse, dhe ngritjen e kishave të reja në disa qytete të Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Çfarë lidhjesh ka Kisha Ortodokse e Shqiptarëve të Amerikës me Kishën Ortodokse Shqiptare?

Peshkopi Ilia Ketri: Kemi lidhje miqësie. Kemi bashkëpunim. Ne e ndihmojmë Kishën e Shqipërisë, duke vajtur, duke udhëtuar në Shqipëri, duke e përkrahur në çdo rast që na jepet mundësia. Unë personalisht, jam i caktuar nga Kryepeshkopi Anastasi dhe Sinodi i shenjtë i Kishës Autoqefale të Shqipërisë, që të përfaqësoj Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe zyrtare që ka Kisha Ortodokse me Kishën Romano-Katolike, me anglikanët, dhe me protestantët. Bëhet një dialog, një konferencë mes këtyre kishave dhe unë përfaqësoj atje Kishën e Shqipërisë.”

Kontributi i Peshkopit Ilia Ketri nuk kufizohet vetëm në ngritjen e kishave të reja, por edhe në edukimin e priftërinjve në Shqipëri. Ai është Drejtor i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Zotit”, për vajza dhe djem në Manastirin e Shën Vlashit, afër Durrësit.

“... Çdo shërbim që bën kisha në Shqipëri, nuk kufizohet vetëm tek ortodoksët; për shembull, në Klinikën e Ungjillëzimit që është në Tiranë, shkojnë të gjithë shqiptarët që kanë nevojë.”

Peshkopi Ilia thotë se veprimtaritë e bamirësisë që organizon Kisha nuk përfshijnë vetëm shqiptarët ortodoksë, por edhe ata të besimeve të tjera. Edhe mesazhi i tij për Krishtlindjet, u drejtohet të gjithë shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: Peshkopi Ilia, cili është mesazhi juaj për Shqiptarët, kudo qofshin, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, apo kudo, në mbarë botën me rastin e Krishtlindjeve?

Peshkopi Ilia: Mesazhi i Krishtlindjeve është i njëjtë. Dhe sado herë që ta përsëritim, ka nevojë njeriu ta dëgjojë këtë mesazh. Është mesazhi i përcjellë nga engjëjt. Paqe në botë dhe mirësi midis njerëzve. Paqja sjell një qetësi brenda në shpirt, që njeriu e gjen tek Perëndia, tek besimi i tij që ka për atë forcë të madhe që ekziston jashtë. Njeriu vetë nuk mund ta sjellë atë qetësi. Mund të përpiqet, por nuk e arrin dot. Njeriu nga natyra është një qenie shpirtërore, një qenie fetare dhe kërkon kurdoherë të ketë një komunikim, një lidhje me Perëndinë. Ky është mesazhi i Krishtlindjes. Unë kam jetuar në Shqipëri. I shikoj vështirësitë që përballon populli ditë për ditë. Dhe ne lutemi, që të gjejnë fuqinë nga besimi i tyre, ta përballojnë dhe të mos dorëzohen. Gjithashtu, edhe në këto çështjet kombëtare, që i përkasin Kosovës, Maqedonisë dhe interesat kombëtare që ka Shqipëria, përsëri, njeriu i përballon dhe gjen një përgjigje, një qetësi kur është në marrëdhënie me Perëndinë. Kam bindjen të plotë, se e drejta mbretëron në çdo çështje...Urimet e mija për Krishtlindjet. Me shëndet, me ecuri, me lumëri, dhe me mbarësi, popullin shqiptar, kudo që të ndodhen, pa dallim feje. Se fryma e lindjes së Zotit në botë është një frymë paqësore dhe mirësie. Urimet e mija, bekimet nga Amerika. (ze)

XS
SM
MD
LG