Lidhje

Të krishterët nga e gjithë bota mblidhen në Betlehem, ku ata besojnë se lindi Jezu Krishti


Peligrinë të krishterë nga gjithë bota janë mbledhur në Betlehem për festën më të madhe me rastin e Krishtlindjeve, që nga fillimi i kryengritjes palestineze në vitin 2000.

Dhjetra mijëra turistë pritet të vizitojnë vendin, ku të krishterët besojnë se lindi Jezu Krishti. Në vitet e mëparshme, për shkak të konfliktit, shumë të huaj qëndruan larg Betlehemit.

Vizitorët e huaj dhe banorët vendas thonë se shtimi i madh i vizitorëve këtë vit u bë i mundur si rezultat i rënies së dhunës dhe rifillimit të bisedimeve të paqes midis Izraelit dhe palestinezëve në konferencën e organizuar nga Shtetet e Bashkuara. Festimet në Betlehem filluan sot me një paradë. Kulmi i festimeve do të jetë mesha e mesnatës në Kishën e Lindjes.

Në prag të Krishtlindjeve Presidenti George Bush u telefonoi udhëheqësit në mbarë botën si dhe pjesëtarëve të ushtrisë amerikane që shërbejnë jashtë Amerikës.

Shtëpia e Bardhë njofton se presidenti Bush foli në telefon me kryeministrin turk dhe presidentin rus. Presidenti gjithashtu foli në telefon me 10 ushtarë në Irak, Afganistan, Gjirin Persik dhe Detin Barenc, për t’u uruar atyre Krishtlindjet dhe për t’i falenderuar për shërbimin ndaj atdheut.

Në Romë, Papa Benedikt do të thotë meshën e mesnatës ndërsa në Ditën e Krishtlindjes do të përcjellë mesazhin dhe bekimin e tij të përvitshëm drejtuar botës. (ze)

XS
SM
MD
LG