Lidhje

Serbia: Projekt-rezolutë për masa ndaj vendeve që njohin pavarësinë e Kosovës


Presidenti i Serbisë Boris Tadiç thotë se vendi i tij do të bëjë ç’është e mundur për të mos lejuar shkëputjen e Kosovës, por shtoi se Beogradi do të vazhdojë përpjekjet për të forcuar lidhjet me Evropën. Udhëheqësi serb i bëri këto komente ndërkohë që parlamenti i Serbisë debatonte mbi një projekt-rezolutë që kufizon lidhjet me vendet që njohin pavarësinë e Kosovës.

Projekt-rezoluta gjithashtu shprehet kundër nënshkrimit të marrëveshjes për forcimin e lidhjeve me Bashkimin Evropian, nëse kjo marrëveshje nuk përfshin në mënyrë specifike mbështetje të sovranitetit serb mbi Kosovën. Në rezolutë thuhet gjithashtu se misioni i propozuar i Bashkimit Evropian në Kosovë do të vinte në rrezik sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Shumica shqiptare në Kosovë është zotuar të shpallë pavarësinë në një të ardhme të afërt. Aspiratat e tyre mbështeten nga shumë vende në perëndim, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs nënvizoi kohët e fundit se Kosova nuk do të jetë kurrë më pjesë e Serbisë. //bsa//

XS
SM
MD
LG