Lidhje

Kalanzopulos: Shqipëria - histori suksesi për investimet e BB


Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë Orsali Kalanzopulos thotë se vendi ka shënuar përparime të dukshme dhe vazhdon të jetë një histori suksesi për investimet e këtij institucioni. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zyrtarja e Bankës Botërore flet për sfidat në sektorin e energjitikës dhe për qëndrimin e Bankës për projektin e rrugës Durrës Kukës.

Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Orsalie Kalanzopulos flet me optimizëm për arritjet e vendit në drejtim të zhvillimit, reformave dhe në uljen e nivelit të varfërisë. Projektet e Bankës kanë patur një nivel të shpejtë zbatimi në të gjithë sektorët e ekonomisë shqiptare, përfshi atë të infrastrukturës dhe energjisë. Por megjithë investimet e bëra nga Banka Botërore në këta sektorë jetikë të zhvillimit, sfidat vazhdojnë të jenë të mëdha.

Orsalie Kalanzopulos: "Energjia do të vazhdojë të jetë në planin tonë të punës. Është e rëndësishme për Shqipërinë të ketë shumëllojshmëri burimesh energjitike. 99 përqind e energjisë që konsumohet në vend vjen nga burimet hidrike. Energjitika është një fushë kritike ku duhet të vazhdojnë investimet tona. Sektori i energjisë nuk është i lehtë për t’u reformuar. Duhet të ketë vullnet politik dhe aftësi menaxheriale. Ka shumë përpjekje nga ana e qeverisë por përsëri mbetet shumë për t’u bërë."

Drejtoresha e Bankës pranon se humbjet e mëdha të KESHit duhet të mbulohen disi përmes rritjes së çmimeve por paralajmëron kujdes në këtë rritje:

Orsalie Kalanzopulos: "Rritja e çmimit duhet të ndodhë por duhet patur kujdes. Padyshim që ka patur dhe ka mungesë efektshmërie në sistem. Ata që paguajnë, paguajnë edhe për paaefektshmërinë e sistemit. Nuk ka një formulë magjike që do të zgjidhte problemet e KESH-it. Pengesë është mospagimi i faturave. Por ka një pjesë që nuk mund t’i paguajë dritat pasi janë të varfër. Për këtë grup duhet të vendoset një sistem subvencionesh. Informacionet për të përcaktuar shtresat e varfëra megjithëse janë përmirësuar nuk janë të plota. Rritja e çmimit duhet të ndodhë por kjo nuk duhet të jetë një masë e izoluar. Ajo duhet të shoqërohet nga masa të tjera, që do të ndihmojnë rritjen e efektshmërisë së sistemit dhe që do të përmirësojnë procesin e arkëtimit dhe faturimit."

Zëri i Amerikës: Ju dhe FMNja keni rekomanduar privatizimin e KESHit. Sa do të zgjasë ky proces?

Orsalie Kalanzopulos: "Privatizimi i kompanive të energjitikës kërkon kohë. Ai fillon me atë pjesë që sjell më shumë ndryshime, pra me shpërndarjen. Ky sektor duhet të jetë në gjendje të mirë për të tërhequr investitorë privatë. Nga ana tjetër duhet të ekzistojë edhe një treg financiar ndërkombëtare i volitshëm. Procesi është absolutisht kritik. Ai duhet të jetë i hapur, transparent dhe konkurrues për të marrë çmimin më të lartë. Procesi ka filluar, por nuk mund të them se sa kohë do të marrë."

Zëri i Amerikës: Çështja më e debatueshme këtë vit ishte projekti i rrugës Durrës-Kukës. I debatueshëm ishte edhe procesi i zgjedhjes së kompanisë ndërtuese. Në se mund të sqaroni qëndrimin tuaj për këtë projekt.

Orsalie Kalanzopulos: "Projekti ka një ndikim të qartë pozitiv zhvillimi. Ai përbën një mundësi për të shfrytëzuar më mirë investimet e kryera tashmë në portin e Durrësit. Është gjë shumë e mirë ta lidhësh këtë pjesë të Evropës, nga Durrësi në Kukës, Morinë e deri në korridorin e 10-të. Pra nga pikëpamja e zhvillimit projekti është i arsyeshëm. Ai iu dha një kompanie pa kaluar në procesin e konkurrimit. Kjo nuk është mënyra e kontraktimit që ne i këshillojmë qeveritë të ndërmarrin. Rekomandimi ynë ka qënë gjithmonë për një proces të hapur, transparent dhe konkurrues, e theksoj konkurrues. Vendimi u morr për të zgjedhur një kompani të caktuar. Kjo nuk u vendos nga ne, por kur pamë efektet ekonomike të tij, ato ishin pozitive. Por ka rreziqe dhe ne i nënvizuam ato tek qeveria. Për shembull studimi inxhinierik nuk duhet të ishte bërë nga kompania ndërtuese. Ishte shumë e rëndësishme për qeverinë të vendoste disa pika kontrolli në sistem për të mënjanuar rritjen e kostos, vonesa apo të papritura të tjera. Pra projekti është i mirë por procesi i zgjedhjes së kompanisë nuk është ai i rekomanduar nga Banka Botërore."

Zëri i Amerikës: Ministri Basha përmend gjithmonë rekomandimet e marra nga ju për zgjedhjen e kompanisë që kryen studimin e këtij projekti.

Orsalie Kalanzopulos: "Ministri Basha i kërkoi bankës emra kompanish inxhinierike që do ta ndihmonin atë të mbante nën kontroll çmimin e projektit, që puna inxhinierike të bëhej siç duhej, pra të ndihmonin me mbikqyrjen e projektit, në një kohë që kontrata ishte dhënë. Ekipi ynë i dha thjesht një listë kompanish, që ne përdorim kur paraqesim për konkurim kontratat tona. Por qeveria shqiptare ishte ajo që zgjodhi njërën prej tyre."

Zëri i Amerikës: Në se mund të na thoni diçka për postin tuaj të ri. Çfarë do t’ju rekomandonit vendeve si Shqipëria për të arritur standartet e kërkuara në kategorinë e vendeve me të ardhura mesatare?

Orsalie Kalanzopulos: "Më vjen keq që po largohem nga rajoni. Është një rajon i mrekullueshëm, plot sfida dhe përparim të madh. Mendoj se me zgjidhjen e pasigurive politike që rrethojnë Kosovën, mundësitë do të jenë të mëdha. Është një rajon shumë dinamik, me rritje të shpejtë dhe me bukuri natyrore të mrekullueshme, veçanërisht me shpirtin e afarizmit që gjen në Shqipëri. Ajo është në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe plotësimi standarteve është rruga e duhur. Roli i Bankës në Ballkanin Perendimor është të ndihmojë vendet t'i plotësojnë këto standarte sa më shpejt të jetë e mundur për t’u anëtarësuar. //bsa//

XS
SM
MD
LG