Lidhje

Pakistan: Njoftohet se është vrarë ish-kryeministrja Benazir Buto


Njoftohet se është vrarë ish kryeministrja dhe udhëheqësja e opozitës në Pakistan, Benazir Buto.

Policia dhe ndihmësit e saj thonë se një person vetvrasës qëlloi me armë kundër zonjës Buto para se të hidhte veten në erë duke vrarë të paktën 16 të tjerë.

Zonja Buto vdiq pak pas një fjalimi që mbajti në një tubim për zgjedhjet e ardhshme në një park në shtabin e ushtrisë pakistaneze në Ravalpindi, jashtë kryeqytetit Islamabad. Ajo u dërgua menjëherë në një spital lokal, por doktorët nuk arritën ta shpëtonin. Ajo ishte 54 vjeçe.

Disa orë para sulmit, Ajaz Gul i Zërit të Amerikës foli me zonjën Buto, e cila sapo kishte zhvilluar bisedime me presidentin afgan Hamid Karzai. Ajo i tha Zërit të Amerikës se ajo dhe presidenti Karzai kishin rënë dakort të punonin së bashku për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin.

Media shtetërore e Pakistanit citoi presidentin Pervez Musharraf duke bërë thirrje për qetësi. Presidenti zhvilloi gjithashtu një takim të nivelit të lartë pak pas sulmit.

Për muaj të tërë, zonja Buto ka qenë në bisedime me presidentin Pakistanez Pervez Musharraf për një marrëveshje të mundshme për ndarjen e pushtetit, e cila mbështetej fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara. Por bisedimet kishin ngecur dhe zonja Buto po bënte fushatë për të kandiduar në zgjedhjet e përgjithshme të caktuara më 8 janar.

Zonja Buto kishte kërkuar të bashkonte forcat edhe me ish kryeministrin tjetër, Navaz Sharif, partia opozitare e të cilit do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Disa orë para vrasjes së zonjës Buto, katër vetë u vranë nga persona të armatosur që hapën zjarr kundër përkrahësve të zotit Sharif gjatë një tubimi politik pranë Ravalpindit.

Përkrahësit e zotit Sharif kanë fajësuar anëtarët e partisë që mbështet presidentin Musharraf për dhunën. Por, partia e zotit Musharraf, Lidhjea Q Myslimane e Pakistanit i ka mohuar akuzat. Zoti Sharif nuk lejohet të kandidojë vetë për shkak të dënimeve të mëparshme penale.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara dënuan sot sulmin në të cilin u vra udhëheqësja e opozitës Benazir Buto.

Sulmi u dënua edhe nga kryeministri indian Manmohan Sing, sekretari i jashtëm britanik David Miliband, kryeministri italian Romano Prodi dhe nga ministria e jashtme ruse. //bsa//

XS
SM
MD
LG