Lidhje

Parlamenti shqiptar i heq imunitetin ministrit të jashtëm Lulzim Basha


Seanca e sotme për votimin mbi imunitetin e ministrit të jashtëm Lulzim Basha ishte fillimisht një vazhdim i situatës kaotike në të cilën parlamenti ndërpreu pas mesnatës së mbrëmshme punimet. Shkaku ishte i njejtë: procedurat.

Kryetarja e parlamentit duke iu referuar një vendimi të Këshillit të Rregullores kërkoi votim edhe për angazhimin e parlamentit për t’i hequr imunitetin çdo deputeti në rast të dyshimeve për korrupsion. Një akt që sipas edhe kryeministrit do të kishte vetëm një vlerë morale dhe jo juridike, për t’i dhënë sinjal prokuorisë se nuk do të kishte pengesa.

Pas afër dy orësh debatesh u kalua në çështjen e imunitetit të ministrit të jashtëm Lulzim Basha.

Ministri shfrytëzoi të drejtën për të folur para deputetëve. Një fjalim që ishte larg një mbrojtjeje ndaj dyshimeve, për të cilat ai është shprehur disa herë, por që kishte një veshje kryesisht politike.

"Ky është padyshim projekti më madhor i ndërmarrë ndonjëherë nga një qeveri shqiptare, rruga e parë që hapin shqiptarët dhe jo pushtuesit e tyre, rruga që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe bashkon dy vëllezër të ndarë nga një histori e dhimbshme dhe relievi të ashpër. Mund të thoja që është një luftë e pastër politike e një grupi individësh, kori laraskash që tmerrohen nga ajo që rruga përfaqëson: vullnet politik e të hekurt të një qeverie që nuk vendos asgjë para interesave kombëtare".

Shumica e djathtë prej kohësh e ka bërë të qartë pozicionin se do të votonte pro heqjes së imunitetit dhe vetë ministri e quajti këtë një mundësi që të dalë e vërteta.

"Duke votuar për heqjen e imunitetit, pas një akuze të analizuar qartësisht nga Këshilli i Rregullores dhe Imunitetit, të cilës nuk kam çfarë t’i shtoj, krejtësisht të pabazuar ligjore ne japim shansin prokuorisë të vërtetojë ose të hedh poshtë baltën, shpifjet e luftën, që ata të cilëve do t’u harrohen emrat kur rruga të ketë mbaruar, me kaq zell hodhën mbi këtë projekt. Të gjithë ata që besojnë tek e mira dhe e vërteta duhet ta mbështesim këtë kërkesë sic e mbështes edhe unë pa rezerva".

Fjala e tij u prit me duartrokitje nga kolegët e tij të shumicës dhe me një shtrëngim dore nga kryeministri. Votimi i cili u krye i fshehtë dhe me kuti nxorri një rezultat thuajse unanim, me 107 vota ne favor dhe vetem 12 kundër heqjes së imunitetit.

Prokuroria e konsideron ministrin Basha si përgjegjës për të gjitha procedurat që nga përcaktimi i konsulentit deri te përzgjedhja e firmës amerikano Turke Bechtel & Enka për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash. Në raportin e organit të akuzës kostoja e deritanishme e projektit konsiderohet shumë më e lartë se ajo reale. //bsa//

XS
SM
MD
LG