Lidhje

Arritjet shkencore për vitin 2007


Në fushën e shkencës, gjatë vitit 2007, u hodh dritë mbi prova të reja për ngrohjen e globit, zbulime në planetin tonë dhe në hapësirë. 2007 ishte një vit arritjesh edhe në mjekësi.

Një prej zhvillimeve më premtuese në shëndetësi gjatë vitit 2007 ishte zbulimi se nga lëkura e një të rrituri mund të prodhohen qeliza embrionale. Përparësia kryesore etike është se për përftimin e kësaj qelize nuk kërkohet shkatërrimi i embrionit.

Doktor Xhorxh Dejli, pranë universitetit Harvard, shpjegon të mirat e këtij zbulimi. Ai thotë se nga lëkura e njeriut, shkencëtarët tani mund të prodhojnë qeliza embrionale për çdo organ të trupit.

Shkencëtarët thonë se qelizat embrionale mund të përdoren për kurimin e dëmtimeve të shtyllës kurrizore dhe sëmundjeve neurologjike.

Agjencia amerikane e ushqimeve dhe barnave njoftoi se mishi e qumështi të klonuar gjatë vitit 2007 janë ushqime të shëndetëshme. Kjo agjenci arriti në përfundimin se përderisa ushqimet e klonuara nuk mund të dallohen nga ushqimet e tjera të prodhuara në mënyrë të natyrëshme, ato nuk kërkojnë ndonjë etiketim të posaçëm.

Ndërkohë, komisioni këshillues i agjencisë së ushqimeve dhe barnave njoftoi se jeta e amerikanëve është në rrezik për shkak të pakësimit të dukshëm të numrit të personelit dhe si pasojë e teknologjisë së vjetëruar të kësaj agjencie, dikur udhëheqëse në fushën e sigurisë së ushqimit dhe barnave.

Ndër zhvillime të tjera, ilaçet Statin që përdoren për uljen e nivelit të kolesterinës, u provua se mbrojnë gjithashtu zemrën dhe vonojnë zhvillimin e Alcajmerit. Së fundit, një vështrim mbi dy sëmundje shkatërruese, Sidën dhe Linë. Vdekjet nga lija ranë 68 përqind. Në Afrikë rënia ishte 91 përqind. Organizata botërore e shëndetësisë thotë se kjo arritje është rezultat i programeve qeveritare për vaksinimin e fëmijëve.

Përparim u arrit edhe në luftën kundër virust HIV që shkakton Sidën. Organizata botërore e shëndetësisë njoftoi se gjatë vitit 2007, përqindja e njerëzve që jetojnë megjithë se të infektuar me HIV, u shtua, ndërsa rastet e reja të infeksioneve u pakësuan. Fatkeqësisht, Afrika nën-sahariane vazhdon të jetë qëndra e kësaj sëmundjeje.

Ngrohja globale kryeson listën e temave shkencore të vitit. Shkencëtarët thonë se ka prova të reja se akullnajat po shkrihen me rritme më të shpejta. Komisioni Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës thotë se është 90 për qind i bindur se veprimtaria e njeriut ka lidhje me rritjen e temperaturave.

Kryetari i këtij Komisioni Rajendra Pachauri thote se ka prova të forta shkencore për këtë. Komisioni i OKB-së, i drejtuar nga zoti Pachauri fitoi Çmimin Nobel të Paqes këtë vit së bashku me ish-nënpresidentin Al Gore. "Do të flas për një të vërtetë të pakëndshme. Vendi im është ndër pengesat kryesore për përparim në Konferencën e Balit," tha ish-nënpresidenti.

Dokumentari i Al Gorit “Një e Vërtetë e Pakëndshme” pasqyron efektin e ndryshimit të klimës.

Në zhvillime të tjera, shkencëtarët zbuluan një vendbanim të panjohur më parë në Stonehenge, dolën me një teori të re mbi ndërtimin e Piramidave dhe ekspozuan për herë të parë pas 3 mijë vjetësh Mbretin Tut.

Shkencëtarët bënë gjithashtu një zbulim shumë të rëndësishëm në Kenia – ku u gjet një nofull 10 milionë vjeçare, e cila është hallka lidhëse mes njeriut dhe majmunit.

Ndërkaq nga fosilja e një dinosauri tiranosor, shkencëtarët amerikanë zbuluan hartën gjenetike të një proteine të indit muskulor, që i lidh këta zvarranikë gjigandë me zogjtë e sotëm.

Japonia dhe Kina u futën në garën e hapësirës në vitin 2007, duke hedhur sondat e para hapësinore. Nasa arriti të marrë fotografi 3-dimensionale të diellit, dhe me 3 misione të reja për vajtje-ardhje në hapësirë, intensifikoi ritmet e ndërtimit të Stacionit Ndërkombëtar Orbital. Probleme teknike pezulluan fluturimin e katërt në dhjetor, por ndërtimi i stacionit do të vazhdojë në vitin 2008. //bsa//

XS
SM
MD
LG