Lidhje

Dhuna shpërthen në disa qytete të Pakistanit pas vrasjes së Benazir Butos


Vrasja e ish-kryeministres së Pakistanit Benazir Buto, ka shkaktuar dhunë dhe viktima në disa qytete pakistaneze.

Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën në trazira në gjithë vendin. Ushtria pakistaneze u vu në gjendje të lartë gatishmërie, ndërkohë që protestuesit e zemëruar i vunë zjarrin automjeteve dhe sulmuan dyqane në Karachi, Lahore dhe qytete të tjera.

Zonja Bhutto, një udhëheqëse me peshë e opozitës u vra të enjten, ndërsa largohej nga një tubim për fushatë para zgjedhjeve parlamentare të parashikuara për më 8 janar.

Policia tha se një person qëlloi me armë kundër zonjës Buto para se të hidhte veten në erë duke vrarë të paktën 20 të tjerë.

Zonja Buto ishte në një makinë të blinduar në momentin e sulmit, por po përshëndeste përkrahësit e saj nga pjesa e sipërme e hapur e makinës në një park pranë qendrës së ushtrisë së Pakistanit në Rawalpindi. Ajo u dërgua menjëherë në një spital lokal, por doktorët nuk arritën ta shpëtonin. Ajo ishte 54 vjeçe.

Duke folur para kombit disa orë më pas, Presidenti Pervez Musharraf fajësoi terroristët për vrasjen. Ai shpalli tri ditë zi për zonjën Bhutto dhe bëri thirrje për qetësi.

Disa orë para sulmit, Zëri i Amerikës foli me zonjën Buto, e cila sapo kishte zhvilluar bisedime me presidentin afgan Hamid Karzai. Ajo i tha Zërit të Amerikës se ajo dhe presidenti Karzai kishin rënë dakort të punonin së bashku për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin. //kk//

XS
SM
MD
LG