Lidhje

Pakistan: Varroset ish kryeministrja e vrarë Benazir Bhutto


Në një atmosferë plot emocione, qindra mijë pakistanezë i dhanë sot lamturinën e fundit ish kryeministres Benazir Bhutto e cila u vra dje.

Njerëz të shumtë ishin rreshtuar në të dy anët e rrugës nga kaloi arkivoli me trupin e zonjës Bhutto, e cila u varros në mauzoleun e familjes pranë të atit në provincën jugore Sind.

Simpatizantë të zemëruar të Bhuttos vazhduan edhe sot protestat, duke sulmuar stacione policie dhe zyra qeveritare si dhe duke djegur makina. Të paktën 23 vetë kanë humbur jetën që nga vrasja e zonjës Bhutto.

Pjesa më e madhe e rasteve të dhunës kanë qenë në provincën Sind, vendlindja dhe baza politike e zonjës Bhutto. Autoritetet e atjeshme kanë marrë urdhër të hapin zjarr pa paralajmërim kundër protestuesve të dhunshëm.

54-vjeçarja Bhutto u vra dje në Ravalpindi kur po largohej nga një miting fushate për zgjedhjet parlamentare të 8 janarit.

Kryeministri i përkohshëm i Pakistanit tha sot se tani për tani qeveria nuk ka plane për t’i shtyrë zgjedhjet. Udhëheqësi i opozitës dhe ish kryeministri Navaz Sharif tha se partia e tij do t’i bojkotojë zgjedhjet.

Presidenti i Pakistanit, Pervez Musharraf fajësoi terroristët për ngjarjen e djeshme. Ai ka shpallur tre ditë zie dhe ka bërë thirrje për qetësi. //ii

XS
SM
MD
LG