Lidhje

Francë: Dashuria e famshme me duhanin, së shpejti e rrezikuar


Franca është e famshme për shoqërinë e saj të kafeneve dhe francezët njihen për dashurinë e tyre për duhanin. Shkrimtarët e mëdhenj si Albert Kamy dhe Zhan Pol Sartre kujtohen gjithmonë me cigare në gojë.

Por, së shpejti, edhe në këtë vend, nuk do të jetë më e ligjshme të pish duhan në vendet e mbyllura publike, duke përfshirë baret, restorantet dhe diskot, të cilat deri tani kanë qenë të përjashtuara nga ligji për ndalimin e duhanit që hyri në fuqi në shkurt të vitit 2007 për të gjitha vendet e punës publike dhe private.

Pra në Francë nuk do të jetë më e mundur të pish një kafe apo një gotë verë së bashku me një cigare në një nga të ashtëquajturat bar-tabak, e cila është një shpikje franceze ku shiten cigaret dhe gazetat dhe janë një kombinim i barit me kafenenë.

Disa pronarë lokalesh presin që biznesi i tyre të bjerë pas ndalimit të duhanit. Por një studim i fundit nga shoqata për të drejtat e atyre që nuk pijnë duhan thotë se restorantet dhe baret që kanë ndaluar duhanin kanë përfituar nga rritja e numrit të klientelës së tyre.

Deri tani, 15 milion duhanpirësit që ka Franca nuk kanë mundur të ndezin cigare në vendet e punës, shkolla, aeroporte, spitale dhe vende të tjera të mbyllura publike. //ii

XS
SM
MD
LG