Lidhje

Pakistan: Partia e Butos hedh poshtë variantin zyrtar për vrasjen


Presidenti pakistanez Pervez Musharraf urdhëroi shefat e tij të sigurimit që të ndërmarrin veprime të ashpra kundër njerëzve që shkaktojnë trazira në valën e zhvillimeve pas vrasjes së udhëheqëses së opozitës Benazir Bhutto.

Sipas një agjencie shtetërore pakistaneze të lajmeve, zoti Musharraf u tha sot zyrtarëve të sigurisë se ata që plaçkisin nuk mund të lejohen të dëmtojnë jetën dhe pasurinë e të tjerëve nën petkun e protestave.

Të paktën 44 vetë janë vrarë gjatë trazirave që nga vdekja e zonjës Bhutto të enjten dhe ministria e brendëshme tha se plaçkitjet kanë shkaktuar dhjetra milionë dollarë dëme në të gjithë vendin.

Ndërkohë, zyrtarë të lartë të Partisë Popullore Pakistaneze të zonjës Bhutto e quajtën gënjeshtër variantin e dhënë nga qeveria për vdekjen e saj. Një nga ndihmëset kryesore, Sherry Rehman, e cila mori pjesë në larjen e trupit të zonjës Bhutto para varrimit, i tha Zërit të Amerikës se ish kryeministrja kishte një plagë plumbi në kokë.

Qeveria tha të premten se zonja Bhutto u vra sepse përplasi kokën në dorezën e dritares së sipërme të automjetit ku ndodhej për shkak të forcës së një shpërthimi vetvrasës. Një zëdhënës i ministrisë së brendëshme tha se varianti i qeverisë nuk kishte asgjë më shumë përveç fakteve.

Në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha se është përgjegjësi e Pakistanit të garantojë se rreth vdekjes së zonjës Bhutto do të bëhen hetime të plota. //ii

XS
SM
MD
LG