Lidhje

Sejdiu: 2008-a do të shënojë fundin e procesit për statusin e Kosovës


Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu është i bindur se viti që po vjen do të shënojë edhe fundin e procesit për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës. Në një intervistë dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, presidenti Sejdiu thotë se janë shterur të gjitha përpjekjet për të arritur një marrëveshje për statusin dhe çdo përpjekje për të zgjatur procesin është jo racionale dhe e dëmshme.

Zëri i Amerikës: Zoti President, Kosova po mbyll një vit të vështirë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për statusin politik të saj. Si do ta karakterizonit këtë vit?

Fatmir Sejdiu: Mund të them se ka qenë një vit jashtëzakonisht i vështirë dhe i peshës së veçantë me zhvillimet, me ngjarjet që ka pasur. Prandaj mund të themi se ne e kapërcyem me sukses edhe këtë pjesë të angazhimeve shtesë që ka qenë një barrë e veçantë për ekipin negociator dhe për të gjithë ne, për të plasuar edhe njëherë në mënyrën më të mirë të mundshme, vizionin tonë për Kosovën, për të tashmen dhe të ardhmen e saj, karshi sfidave të tjera të shumta që kanë të bëjnë me jetën dhe shqetësimet e qytetarëve edhe për procesin edhe për aspekte të tjera që lidhen realisht të gjitha me çelësin themelor, me çelësin e statusit. Mund të them se ky vit ka qenë edhe një vit i mbështetjes së madhe për Kosovën nga bashkësia ndërkombëtare pavarësisht se nuk u arrit që të përfundohet krejt në dinamikën e paraparë. Një mbështetje që po ashtu ka rezultuar edhe nga vet studimi i thellë i problematikës apo çështjes themelore që ishte bosht i çështjes së Kosovës që të përmbyllet si duhet dhe të jetë një zgjidhje e qëndrueshme dhe zgjidhje e qëndrueshme është ajo që është nxjerrë edhe në parimet e Grupit të Kontaktit për respektimin e vullnetit të shumicës, pra pavarësimin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Dhe kur mund të pritet kjo zgjidhje? Si pritet të zhvillohet më tej procesi për zgjidhjen e statusit të Kosovës?

Fatmir Sejdiu: Është po ashtu e rëndësishme që është dëshmuar se nuk mund të ketë bisedime të tjera, se çdo gjë, çdo përpjekje për të zgjatë procesin është iracionale, është e dëmshme, se status quoja është e dëmshme dhe prodhon efekte negative dhe se është një urgjencë që ky proces të përfundojë sa më shpejtë. Ne presim që këto pak ditë të fillim vitit të ardhshëm, mund të them ndoshta jo në kornizën e saktë të datës, por një kornizë kohore përafërsisht dihet, do të përfundojë gjithë ky proces.

Zëri i Amerikës: Zoti president, nëse serbët realizojnë paralajmërimet e tyre se do t'i kundërvihen pavarësisë së Kosovë me një formë të pavarësisë së veriut, si do të veprojë Prishtina zyrtare, çfarë përgjigje mund të ketë ajo?

Fatmir Sejdiu: Mendoj se është e peshës së veçantë edhe reagimi i përgjithshëm ndërkombëtar dhe reagimi ynë se Kosova e ka integritetin e saj të pacënueshëm, pavarësisht se ka ende probleme faktike me të cilat përballemi. Pra ajo pjesë e veriut të Kosovës ende nuk ka hyrë në një funksion të plotë të integrimit aktiv të qytetarëve në jetën politike dhe institucionale dhe në jetën e përditshme në Kosovë. Por megjithatë mund të them se ka sinjale të mira se qytetarët po i kthehen më tepër vetes, flas edhe për komunitetin pakicë serb. Dhe e dyta, është një llogari shumë e qartë se Serbia nuk e ka interes final të saj që të hyjë në konfrontim me bashkësinë ndërkombëtare, të hyjë në një konflikt të ri që do të sillte pasoja të jashtëzakonshme në radhë të parë për atë vetë. Fundja ajo e ka provuar edhe në një kohë të mëhershme përballjen e saj me gjithë botën demokratike me forcat e NATO-s. Prandaj ne nga këndi ynë nuk do të preferonim një qasje të tillë. Ajo mbase mund të ketë tensione të brendshme dhe eventualisht një nevojë që të arsyetohet para opinionit të vet publik, flas për elitën politike, për fjalët e serta që i kanë thënë gjatë gjithë kësaj kohe. Por mendoj se në fund do të mbizotërojë arsyeja, do të jetë një qasje racionale e saj që të respektojë të themi edhe idenë që ne e kemi prezantuar ne takimet me treshen për një miqësi dhe fqinjësi të mirë me Kosovën.

Zëri i Amerikës: Por a keni shqetësim për gjendjen e sigurisë në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, e kam fjalën për gjendjen e brendshme të sigurisë?

Fatmir Sejdiu: Unë mendoj se qytetarët e Kosovës janë mjaft te pjekur. Ata kanë qenë pjesë e kontributit aktiv gjatë gjithë kësaj periudhe në stabilitetin e vendit. Do të vazhdojnë edhe në këtë periudhë që do të kemi para nesh, pra të zhvillimet e reja, apo në epokën e re që do të hyjmë për një proces sa më aktiv dhe shumë dinamik të përballjes me sfida të shumta që kanë të bëjnë me jetën e tyre. Andaj kujtoj në të njëjtën kohë se edhe vetë qytetarët serbë të Kosovës do të jenë një element i rëndësishëm për t'ua bërë me dije ndoshta një pjese të bashkëpatriotëve të tyre, flas në kuptimin e bashkëkombësve që të mos bëhen instrument i lojërave të rrezikshme që realisht do të prishnin rehatinë e brendshme të të gjithëve, por nuk është interes as i tyre.

Zëri i Amerikës: Zoti president, a do të jetë viti 2008 përfundimisht vit i zgjidhjes së statusit të Kosovës, meqë çdo vit është shprehur kjo dëshirë?

Fatmir Sejdiu: Unë them tash absolutisht. Unë mendoj se janë konsumuar të gjitha qasjet që kanë hyrë nganjëherë edhe në qorrsokak. Çështja e Kosovës është elaboruar në mënyrën më të mirë të mundshme me të gjitha variantet, pra edhe me ato që nganjëherë kanë qenë pjesë e obstruksioneve. Çështja e Kosovës është e pjekur edhe në kuptimin e mbështetjes finale, flas edhe me vendimin tonë, ne do të bënim shumë më herët absolutisht. Por, është shumë me rëndësi se këtë vendim të ri të deklarimit të pavarësisë së Kosovës do ta bëjmë edhe në koordinim me miqtë e Kosovës që janë gjetur pranë nesh edhe në kohë të vështira, janë edhe tash dhe do të jenë edhe nesër.

Zëri i Amerikës: Pse u vonuat me krijimin e institucioneve që duhet të marrin këtë vendim?

Fatmir Sejdiu: Po mund të jentë ndoshta proceset që i gjejmë ngjashëm edhe në vendet e tjera. Pas proceseve zgjedhore, natyrisht kur nuk ka një forcë politike që mund të ketë dominancën në kuptimin e votave në parlament apo vendeve në parlament, do të ketë nevojën e konsultimit edhe me të tjerë, prandaj ekzistojnë konsultime të arsyeshme. Mendoj se megjithatë do të veprohet brenda një optimumi normal dhe sigurisht në këto dy tri ditët e para menjëherë pas kremteve të vitit të ri do të bëhet konstituimi i Parlamentit të Kosovës dhe t'i jepet mundësia që të shkohet në konstituimin final edhe të institucioneve tjera.

Zëri i Amerikës: Zoti president, mesazhi juaj për vitin e ri.

Fatmir Sejdiu: Përshëndes të gjithë teleshikuesit tuaj, qytetarët e Kosovës dhe gjithë të tjerët që ju përcjellin me një falënderim të madh për angazhimet e tyre për stabilitetin e vendit në radhë të parë. Një mesazh dëshire dhe dashurie për ta që të kenë shëndet dhe fat në punë. Dhe po ashtu një përshëndetje të veçantë për Zërin e Amerikës që ka qenë një zë i vazhdueshëm edhe i qëndrimeve jashtëzakonisht konkrete, korrekte dhe mbështetëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por po kështu të them edhe të redaksisë, për ecjet tona, për lëvizjet tona dhe për projektin tonë që është një projekt për liri, për paqe, për demokraci dhe për një mirëkuptim mes popujve. Prandaj shfrytëzoj rastin që të përshëndes gjithë ekipin dhe të përshëndes, natyrisht që e keni, që të jeni një dritare e vazhdueshme për njerëzit që duan më tepër edhe nga jeta e përditshme. //ii

XS
SM
MD
LG