Lidhje

Viti 2007, një vit problematik për disa emra të njohur në Hollivud


Greva e artistëve të Hollywoodit, shitjet jo të mëdha muzikore si dhe një vit problematik për disa emra të njohur të skenës, mbizotëruan botën e artit për vitin 2007.

Katër femra të famshme të Hollywoodit ishin kryefjala e kronikave rozë të Hollywoodit për këtë vit. Rasti i ish-aktores së Playboy Anna Nicole Smith, ishte tragjik. Ajo vdiq në shkurt nga mbipërdorimi i drogave. Ylli hollivudian vdiq pa u mbushur viti nga vdekja e djalit të saj 20 vjeçar, (I cili gjithashtu u nda nga jeta për shkak të drogave). Ajo la pas një vajzë.

Pak kohë mbas vdekjes së Smith, yllit të muzikës pop Britney Spears, iu desh të përballej me publicitetin që patën problemet e saj. E kapur shpesh në situata jo të këndshme, ajo ka reaguar e nervozuar përballë kamerave që e ndiqnin kudo. Spears provoi klinikat rehabilituese për lënien e narkotikëve, pati probleme me policinë si dhe humbi kujdestarinë e dy djemve të saj, nga ndarja me ish-bashkëshortin Kevin Federeline. Duke u përpjekur të përballojë gjithçka, ajo hodhi në treg albumin me titull “Blackout” duke arritur prej tij fitime mjaft të mëdha.

Trashëgimtarja e pasurisë hoteliere Hilton, Paris Hilton tërhoqi më tepër vëmendje nga ç’priste, kur një gjykatës e dënoi atë me 45 ditë burg për shkelje të ligjit, pasi ajo u kap duke i dhënë makinës në gjendje të dehur, dhe me një patentë që i kishte skaduar afati. “Kam shumë frikë, por jam gati të përballem me dënimin tim” tha Hilton përpara ditëve të burgut. Dënimi ndaj saj u ul në 23 ditë. Por kur autoritetet e burgut vendosën ta dërgojnë arrest shtëpiak, për arsye shëndetësore, gjykata nuk lëshoi më pe. Paris Hilton u detyrua të kryente të 23 ditët e dënimit të saj në burg.

Sikurse Hilton, dhe aktorja Lindsay Lohan ka probleme ligjore, dhe është mjaft e ndjekur nga paparacët. Policia e ka arrestuar atë dy herë teksa ngiste makinën e dehur; gjithashtu ajo është përballur me dënimin për përdorim kokaine. Abuzimi me alkolin dhe futja e saj në klinikat rehabilituese kanë zënë faqet e para shpesh herë për kronikat rozë.

Në muajin nëntor, në industrinë e Hollywoodit nisi greva e shkrimtarëve që ka gjasë të vazhdojë dhe në vitin 2008. Skenaristët pas thuajse 20 vjetësh u hodhën në grevë dhe marshimi i tyre simbolik në bulevardin e Famës, tashmë po dominon Amerikën.

Edhe industria e muzikës po preket nga greva e shkrimtarëve. Pa programet e mbrëmjes, mjaft tradicionale në Amerikë, nuk ka dritare tjetër prestigjoze për prezantimin e talenteve, albumeve dhe këngëtarëve të rinj. Gjithashtu situata po përkeqësohet dhe tek shitjet e albumeve.

Sipas gazetës USA Today, shitja e albumeve në Amerikë këtë vit ka rënë me 14% në krahasim me vitin e kaluar. Po sipas kësaj gazete, shitjet e muzikës dixhitale janë dyfishuar, por gjithsesi shitjet e albumeve mbeten të ulta. Por pavarësisht kësaj, albumet e reja tërheqin dëgjuesin.

Justin Timbrlake fitoi këtë vit si artisti më i mirë mashkull i muzikës pop/rok ndërsa albumi i tij Futuresex/Lovesounds u vlerësua si albumi më i mirë në zhanret, Soul, Rhythm dhe Blues.

Fergie u vlerësua si këngëtarja më e mirë e vitit. Sipas kanalit muzikor MTV, kënga e saj ”Big girls don’t cry” është shkarkuar nga përdoruesit e i-podëve më shumë se çdo këngë tjetër këtë vit.

Për sa i përket ekranit të gjerë, filmi i cili korri të ardhura të mëdha këtë vit ishte “Piratët e Karaibeve në Fund të Botës”. Ai grumbulloi rreth 1 miliard dollarë nga shitja e biletave.

Aventurat e tjera si filmin e vitit, filmin ”No Country for Old men” . Ky film është bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtarit Cormac McCarthy.

Filmi historik britanik ”Atonement” është një tjetë përshtatje e një romani që kthehet në film. Ai u emërua për 7 çmime Oskar, mes të cilëve dhe për filmin më të mirë dramatik të vitit. Filmi është përshtatje e romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit Ian McEwan. //bsa//

XS
SM
MD
LG