Lidhje

Komisioni zgjedhor i Pakistanit: E pamundur të mbahen zgjedhjet me 8 janar


Komisioni zgjedhor i Pakistanit thotë se duket e pamundur që zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 8 janar të mbahen në kohë. Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit të Zgjedhjeve, Kanuar Dilshad, u tha sot gazetarëve se nesër do të shpallet një datë e re për zgjedhjet, pas bisedimeve me partitë politike.

Ai tha se zyrtarët e zgjedhjeve kanë rënë dakord në parim për t’i shtyrë votimet. Partia e opozitës e udhëheqëses së vrarë Benazir Buto dhe ajo e ish-kryeminsitrit Nauaz Sharif po kërkojnë që zgjedhjet të mbahen më 8 janar, sipas planit. Zoti Sharif ka kërcënuar se do të ketë protesta, nëse zgjedhjet shtyhen.

Vrasja javën e kaluar e zonjës Bhuto i çorjentoi përgatitjet për zgjedhjet, ndërsa shpërthyen protesta nëpër qytete e vendit. Komisioni i zgjedhjeve thotë se shumë nga zyrat e tyre u dogjën dhe listat e votuesve u shkatërruan gjatë dhunës që përfshiu vendin. Më keq nga dhuna u prek distriki i zonjës Bhuto, Sind, ku u vranë 60 persona.

Partia e presidentit Pervez Musharraf kërkon shtyrjen e zgjedhjeve për disa javë, duke thënë se votimet do ta humbin besueshmërinë, nëse mbahen në klimën e tanishme të paqëndrueshmërisë. Zoti Musharraf ka në plan të mbajë nesër një fjalim drejtuar vendit.//lk

XS
SM
MD
LG