Lidhje

Zgjedhjet paraprake në Iowa


Votimi i parë për garën presidenciale amerikane fillon nesër në shtetin Iowa. Sejcili shtet do të ketë mundësinë të zgjedhë një kandidat presidencial për të dy partitë gjatë muajve të ardhshëm. Dhe siç njofton korrespondenti ynë Jeff Swicord nga Des Moines, gara në Iowa ka filluar të ndizet.

Disa ditë para zgjedhjeve paraprake partiake të Iowa-s, anketat e fundit tregojnë kandidatët kryesorë nga të dy partitë gëzojnë mbështetje pothuajse të barabartë.

Në anën republikane, guvernatori i shtetit Arkansas, Mike Huckabee kryesonte gjatë javëve të fundit ndaj guvernatorit të shtetit Massachusets, Mit Romney.

Por rezultatet janë ngushtuar gjatë ditëve të fundit. Senatorja e shtetit të Nju Jorkut, Hillary Clinton, ka qenë në krye të palës demokrate gjatë pjesës më të madhe të garës.

Por sipas anketave të fundit, ngritja e ish senatorit nga Karolina e Veriut John Edwards dhe senatorit nga Illinois Barack Obama, ka bërë që diferenca mes 3 kandiatëve të mos jetë më shumë se 2 përqind. Të dy garat janë shumë të ngushta për të të parashikuar ndonjë rezultat.

Iowa është shteti i parë në të gjithë vendin që zgjedh kandidatët presidencialë nga të dy partitë. I njohur si një shtet i madh bujqësor, kandidatët kanë dalë në kodrat, fushat e mbuluara me borë dhe qytetet e vogla për të bindur votuesit partiakë.

Banorët e Iowas e marrin politikën seriozisht. Dhe bëjnë çdo përpjekje për ta takuar çdo kandidat vetë të paktën një herë para se të vendosin. Të gjithë kandidatët kanë bërë fushatë pa u ndalur gjatë ditëve të fundit. Kandidati republikan Mitt Romney ishte para disa ditësh në qytetin e vogël të Pellas, në Iowa, duke përcjellë mesazhin e një ushtrie të fortë, të një ekonomie të fortë dhe të një familjeje të fortë.

Banorët e Iowa nuk nguten në zgjedhjen e kandidatit të tyre. Një anketë e kohëve të fundit tregonte se 40 përqind e votuesve mund të ndryshojnë mendjen deri ditën e votimit. 19-vjeçarja Leah Nieboer nga qyteti Pella, e cila merr pjesë në votimet paraprake për herë të parë, thotë se asaj i pëlqen Mitt Romney dhe Mike Huckabee. “Mendoj se duhet të gjej më shumë informacion për të dy kandidatët para se të vendos.”

Zoti Romney udhëhiqte në fillim në Iowa pasi u bëri thirrje votuesve kristianë me pikëpamjet e tij konservatore për çështjet sociale. Por, gjatë javëve të fundit ai ka humbur pikë përballë guvernatorit të shtetit Arkansas dhe baptistit Mike Huckabee.

Kohët e fundit, fushata e zotit Romney ka bërë reklama televizive që akuzonin Huckabee-n se ishte i dobët në çështjet e taksave dhe krimit. Ka tregues se këto reklama po ndikojnë tek votuesit konservatorë. Bill Hudson është nga qyteti Pella: “Jam shqetësuar nga Huckabee për disa çështje, prandaj doja të dëgjoja Mit Romney-n sot. Më bëri përshtypje. Ai më pëlqen.”

Demokratja Hillary Clinton kryesonte thellë fillimisht në Iowa, duke theksuar përvojën e saj në politikë, të cilën e ritheksoi përsëri duke folur me të pranishmit për ngjarjet e fundit në Pakistan. “Unë e njihja Benazir Buton; e kam njohur atë prej 12 vitesh.” Por analistët pajtohen se John Edwards ka fituar më tepër mbështetje gjatë javëve të fundit.

Turma të mëdha njerëzish e kanë përshëndetur atë në të gjithë shtetin. Gjatë dy javëve të fundit shifrat e tij të anketave janë rritur tepër dhe tani ai është fare pranë Hillary Clintonit dhe Barack Obamës.

Mesazhi i tij popullor për të luftuar grykësinë e korporatave, për t’i dhënë fund luftës në Irak, dhe forcimin e familjeve të klasës së mesme, duket se i ka tërhequr banorët e Iowas. Jeremy Gangert është i punësuar tek një universitet aty pranë. “Anoj më shumë nga zoti Edwards, pasi e kam dëgjuar të flasë, sepse ai fliste për varfërinë dhe korporatat. Mendoj se korporatat janë shkaku kryesor i varfërisë në këtë vend, sepse ato shpesh nuk u sigurojnë kujdes shëndetsor punonjësve të tyre, dhe vazhdimisht i transferojnë vendet e punës jashtë vendit.”

Në arenë kombëtare, anketat tregojnë se Hillary Clinton ka një përparësi të dukshme ndaj Barak Obamës dhe John Edwards. Në anën republikane, ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Rudi Guliani është në krye. Ai është në vendin e katërt në Iowa. Micke Huckabee është i dyti në nivel kombëtar. Por kjo mund të ndryshojë në varësi të rezultatit të Iowas.//rd//

XS
SM
MD
LG