Lidhje

Beteja për kontrollin e Kaspikut të pasur me naftë


Rritja e çmimit të naftës, forcimi i Rusisë dhe trazirat e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, e kanë intensifikuar konkurrencën për të kontrolluar rezervat e mëdha me naftë dhe me gaz në Detin Kaspik. Kjo konkurrencë e ka vënë Rusinë kundër Perëndimit dhe në të përfshihet si biznesi i madh, edhe politika për pushtet. Disa ekspertë thonë, se konkurrenca zhvillohet për sundimin botëror në tregun e energjisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden, i cili kohët e fundit vizitoi Azerbaxhanin dhe Gjermaninë, ka përgatitur një seri materialesh lidhur me politikat e naftës. Materiali në vazhdim u hedh një vështrim naftësjellësve që kalojnë nëpër vende të ndryshme, të cilët janë shndërruar në beteja për të ushtruar ndikimin dhe kontroll në rajonin e Kaspikut.

Nga një platformë në brigjet e Detit Kaspik, kompania British Petrolium nxjerr naftë nga një zonë naftëmbajtëse, që vlerësohet se përmban 5,4 miliardë fuçi nafte. Prej andej, tubacionet shkojnë direkt në terminalin Sangachal, i cili ndodhet pikërisht në periferi të Bakut, kryeqyteti i Azerbaxhanit, një vend i Azisë Qendrore. Do të duhet të përshkohet një rrugë rrethore, duke e shmangur Rusinë, për të arritur deri në vendet “e uritura” për energji të Evropës dhe Azisë.

Një tubacion me kapacitetin për një milionë fuçi nafte në ditë, transporton naftën në veri në Tbilisi, në Gjeorgji dhe pastaj në jugperëndim, në qytetin-port mesdhetar të Cejhanit, në Turqi. Prej andej, çisternat e transportojnë naftën në mbarë botën. Rajoni i Kaspikut tani përballon vetëm një pjesë të naftës që konsumohet në botë, por rezervat e tij të mëdha, ende të paprekura, konkurrojnë ato të Rusisë dhe të Arabisë Saudite.

Alex Alexiev, i Qendrës për Politikat e Sigurisë në Washington, thotë se zhvillimi i ardhshëm i këtij rajoni të pasur me burime energjie mund të ndryshojë ekuilibrin e forcave në botë. "Cilido që kontrollon furnizimin me naftë e gaz, ka një pushtet të jashtëzakonshëm ekonomik, që e ndryshon ekuacionin e forcave".

Perëndimi e konsideroi ndërtimin e tubacionit Baku/Tbilisi/Ceyhan, një fitore. Megjithatë, shumica e naftës dhe gazit të rajonit të Kaspikut, kalojnë nëpër tubacionet ruse. Turkmenistani nënshkroi kohët e fundit një marrëveshje për ndërtimin e një tubacioni të ri për dërgimin e gazit të tij në Rusi. Alexiev paralajmëron që një Rusi autokrate, e cila ka monopolin e furnizimit të rajonit me energji, do të ishte në gjendje t’i impononte botës vullnetin e vet politik: "Rusia nuk do që të operojë sipas parimeve thjesht kapitaliste, ku mallrat prodhohen dhe shiten, duke u bazuar në mënyrë strikte mbi bazën e fitimit. Ata duan t’i përdorin burimet e tyre hidrokarbure për synime politike".

Tubacioni i Azisë Qendrore ishte projektuar në mënyrë që të anashkalonte Rusinë, duke dërguar naftën e rajonit të Kaspikut nëpërmjet Afganistanit dhe Pakistanit. Por ndërtimi i tij ka ngecur, për shkak të dhunës së vazhdueshme në atë rajon.

Kohët e fundit Rusia ndërpreu për pak kohë furnizimin me energji për Ukrainën dhe Bjellorusinë, për ato që mendohen se ishin arsye politike. Ky veprim agresiv i përforcoi pikëpamjet e atyre që mbështesin tubacionin Baku/Tbilisi/Ceyhan. "Rusia nuk ka miq, ajo njeh vetëm interesat e saj". Vugar Bayramov, i Qendrës për Zhvillim Ekonomik dhe Social në Baku, thotë se Azerbaxhani e ka renditur vetveten krahas Perëndimit dhe mbështet ndërtimin e një tubacioni të dytë, të quajtur Nabuko, për eksportimin e gazit nga rajoni i Kaspikut.

Perëndimi e ndërtoi tubacionin Baku/Tbilisi/Ceyhan në një kohë, kur Rusia ishte më e dobët ekonomikisht. Alexander Rahr, i Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë, në Berlin, thotë se çmimet e larta të energjisë e kanë bërë Rusinë më të pasur dhe më të fuqishme, por edhe më të paduruar për të rivendosur qëndrimin e saj politik karshi botës. "Po, Rusia po përpiqet të bëhet përsëri një superfuqi e energjisë". Zoti Bahr thotë se Rusia po përpiqet të monopolizojë transportimin e naftës dhe të gazit në tregjet aziatike dhe ato evropiane, me qëllim që të mbështesë ambiciet e saj në shkallë botërore. Por ai shton se tani tregjket janë tepër të shumëllojta për t’u kontrolluar. Analisti Bahr thotë se krijimi i mundësive që Evropa të marrë drejtpërdrejtë naftën dhe gazin nga rajoni i Kaspikut, do të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll të ambicieve politike të Rusisë. //rd//

XS
SM
MD
LG