Lidhje

Ndikimi i artit në ekonominë e Nju Jorkut


Një raport i një organizate private për artet në Nju Jork thotë se arti dhe kultura i sjellin rreth 21 miliardë dollarë ekonomisë vjetore të qytetit dhe sigurojnë vende pune për 160 mijë njerëz. Por me rritjen e çmimit të banesave në Manhatan, artistët po fillojnë të zhvendosen nga qendra e qytetit drejt periferive të tij dhe kjo natyrisht mund të ketë një ndikim të caktuar për qytetin.

Mëse 100 vjet më parë Andrew Carnegie ndërtoi në New York sallën e tij të famshme të muzikës dhe mbi të ngriti një kullë me 170 apartamente. Ideja e tij ishte që ato të përdoreshin si studio ku artistët të mund të jetonin pa shumë shpenzime dhe t’i përkushtoheshin artit. Këtu kanë jetuar dhe punuar koreografi George Balanchine, aktori Marlon Brando dhe shumë artistë të tjerë, të famshëm ose jo. Mes tyre është edhe pianisti 84-vjeçar, Donald Shirley. Ai ka jetuar për 50 vjet me radhë në studion mbi sallën e koncerteve. "Nuk ka vend tjetër si ky ku mund të praktikoj pianon", thotë ai.

Por gjatë 16 vjetëve të fundit, Korporata Carnegie Hall, e ka kufizuar numrin e artistëve që jetojnë këtu në rreth 40 vetë, duke i kthyer studiot në zyra, ose duke i lënë bosh... Tani, edhe atyre banorëve me qera që kanë mbetur, po u kërkohet të largohen, për t’i lënë vendin një shkolle muzike: "Kjo është diçka e tmerrshme për mua, sepse jetën ime të moshës madhore e kam kaluar pikërisht këtu. Tani po pres të shoh se çdo të ndodhë"... Qeraxhinjtë po luftojnë për të fituar betejën në gjyq. Ata thonë se kur ndërtoi kompleksin, Andrew Carnegie synonte që këto studio t’i përdornin artistët. Cilido qoftë rezultati i gjyqit, shprehen ata, janë me fat që kanë këto hapësira të mëdha, përsa kohë që i kanë.

Shumë artistë të Nju Jorkut nuk janë në gjendje të paguajnë as edhe për një apartament të vogël me qera në Manhatan dhe janë larguar tashmë për të jetuar në periferi të qytetit. "Artistëve u pëlqen të mblidhen në komunitete. Atyre u pëlqejnë qytetet e mëdha, jo ngaqë qeraja është e ulët, sepse në fakt ato kushtojnë, por për shkak të përvojës së larmishme dhe diversitetit që ofron qyteti". Randall Bourscheidt është president i organizatës Aleanca e Arteve, e cila publikon një raport mbi kontributin e artit në ekonominë e qytetit. Bursheid thotë se arti i sjell Nju Jorkut 21 miliardë dollarë në vit, por vetë artistët shumë pak përfitojnë prej kësaj. "Ata që janë më të talentuar, njerëz të vlerësuar në profesionin e tyre, aktorë, kërcimtarë, këngëtarë, muzikantë, e të tjerë, jetojnë shumë pranë nivelit të varfërisë".

"Artistët e kanë përherë e më të vështirë jetesën, por ata e dinë se duhet të vijnë këtu, prandaj edhe vazhdojnë të vijnë, sepse u duhet të jetojnë dhe punojnë këtu, për të çarë përpara". Elizabeth Currid është autorja e librit “The Warhol Economy”, që flet se si artistët ndihmojnë si artin edhe biznesin të lulëzojnë. "Jeta e tyre shoqërore, po ashtu pasqyrohet në ekonomi. Në ambjentet e tyre soaciale dhe artistike, shpesh ata bëjnë biznes, bashkëpunojnë me njeri tjetrin, komunikojnë me njohësit e artit, me ata që marrin vendime se cili duhet të jetë arti apo moda e mirëfilltë". Ajo thotë se qyteti do të ketë humbje, në se qeratë e larta do të vazhdojnë t’i detyrojnë artistët të largohen nga qendra. "Kjo dendësi dhe dinamizëm që është e pranishme kur artistët jetojnë dhe punojnë në të njëjtin vend, do të pushojë së ekzistuari, ngaqë ata do të detyrohen të largohen". Shkrimtarja thotë se qyteti i ka mundësitë që të përpiqet t’i bëjë të përballueshme banesat për artistët, për shembull, duke vënë një tavan për qeratë. Ajo shpjegon se është në interesin e qytetit të marrë masa të tilla, sepse artistët e ndihmojnë ekonominë.

Në të njëjtën kohë, pianisti Donald Shirley thekson se vlerat më të mëdha të artit në New York nuk mund të çmohen në dollarë."Gjithshka tjetër në jetë e kemi prishur, gjithshka. Ajo që ka mbetur është arti i vërtetë. Çfarë do të bënim ne, çdo të bënin njerëzit, çdo të ishte jeta pa artin?"

XS
SM
MD
LG