Lidhje

Republikani Hakëbi dhe demokrati Obama fitojnë në Ajova


Ish-Governatori i Arkansasë Majke Hakëbi, një figurë praktikisht e panjohur deri para pak muajsh, ka fituar në garën presidenciale në procesin e emërimit të kandidatit republikan në Ajova, ndërsa senatori i Ilinoit Barak Obama, që synon të bëhet presidenti i parë zezak në Shtetet e Bashkuara, ka fituar mes demokratëve.

Parashikimet për fituesit dolën fillimisht në njoftimet e agjencive të lajmeve dhe rrjetet televizive të enjten në mbrëmje. Zoti Hakëbi ka një avantazh të dukshëm ndaj ish-guvernatorit të Masaçusetsit Mit Romni mes Republikanëve, ndërsa ish-Senatori Fred Tompson i treti, pak përpara senatorit të Arizonës Xhon Mekein.

Nga ana e demokratëve, ish-senatori Xhon Eduards është në vend të dytë, me një diferencë fare të vogël nga Senatorja e New Yorkut Hillari Klinton.

Votuesit në shtetin qendror përballuan të ftohtin e hidhur për t’u mbledhur në takime të vogla të komunitetit në garën e parë për të përcaktuar presidentin e ardhshëm të vendit.

Rreth 200 mijë votues priteshin të merrnin pjesë në proces. Kandidatët bënë përpjekjen e fundit për të tërhequr votuesit të enjten.

Ndalesa e ardhshme në programin e republikanëve është një konferencë në Uajoming më 5 janar, ndërsa të dyja partitë marrin pjesë në zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër më 8 janar. Votimet paraprake do të mbahen në shumë shtete të tjera në muajt e ardhshëm.

Procesi i emërimit shtet më shtet mbyllet me kuvendet kombëtare të partive në gusht dhe shtator, ndërsa zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në nëntor. //kk//

XS
SM
MD
LG