Lidhje

Disa hollësi mbi vizitën e Presidentit Bush në Lindjen e Mesme


Administrata e Presidentit Bush bëri të ditur hollësitë e para të vizitës së planifikuar 9 ditëshe të presidentit në Lindjen e Mesme, që fillon të martën. Udhëtimi shënon edhe herën e parë që presidenti Bush viziton Izraelin dhe Bregun Perëndimor, që nga ardhja në pushtet në vitin 2001. Gjatë turneut presidenti do të vizitojë edhe Kuvajtin, Bahreinin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Dubain, Arabinë Saudite dhe Egjiptin.

Të enjten në Gazë, vetëm disa ditë para fillimit të turneut të Presidentit Bush në Lindjen e Mesme, 9 palestinezë u vranë dhe 30 u plagosën, ndërsa Izraeli përdori tanket. Izraeli thotë se ndërhyrja ishte në shenjë hakmarrje për goditjen me raketa nga palestinezët. Dhuna dëmton arritjet e shënuara gjatë konferencës së paqes për Lindjen e Mesme që u zhvillua në afërsi të Uashingtonit vitin e kaluar. Këshilltari për sigurinë kombëtare, Stefën Hadli do të jetë me presidentin gjatë turneut.

“Ata që nxisin ekstremizmin dhe përdorin terrorin do të përpiqen të pengojnë përparimin, pasi suksesi do të çonte në krijimin e një Palestine paqësore që do të jetonte në paqe me Izraelin. Por ata nuk e duan këtë” ,- tha zoti Hadli.

Gjatë turneut në Lindjen e Mesme, zoti Bush do të takohet me presidentin palestinez Mahmud Abaz në Bregun Perëndimor dhe me kryeministrin izraelit Ehud Olmert në Jeruzalem. Javën e kaluar Presidenti Bush tha se do t’i bënte thirrje Izraelit të hiqte vendbanimet e paautorizuara. Këshilltari Hadley thotë se gjatë ndalesave të shumta presidenti do të kërkojë mbështetje edhe për politikat amerikane ndaj Irakut, Libanit dhe Iranit.

“Presidenti do të flasë privatisht, për t’u bërë të ditur bashkëbiseduesve se ne e kuptojmë vështirësinë që paraqet Irani dhe se miqtë e aleatët mund të mbështeten në angazhimin tonë në rajon” , - tha zoti Hadli.

Analistë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare thonë se synimet e presidentit janë tepër ambicioze. Xho Alterman drejton programin për Lindjen e Mesme.

“Presidenti Bush nuk po përpiqet më ta transformojë Lindjen e Mesme nga larg. Ai po synon ta drejtojë procesin duke u përpjeklur të bindë udhëheqësit në takime individuale. Do të ketë përparime, por problemet janë aq tëp shumta saqë është e pamundur të zgjidhen me një udhëtim.”

Analistët thonë se zgjedhjet presidenciale të këtij viti në Amerikë janë një pengesë tjetër. "Ata jo vetëm që ndeshen me një president që është në largim e sipër, por ndeshen edhe me pasigurinë se kush do të jetë presidenti i ri amerikan” ,- thonë ata.

Dhuna në Lindjen e Mesme ka bërë që të dështojnë përpjekjet e shumë presidentëve amerikanë në të kaluarën. Ka patur edhe suksese, siç ishte marrëveshja historike e arritur në kohën e presidentit Xhimi Karter midis Izraelit dhe Egjiptit. Por ende nuk është arritur zgjidhja me dy shtete, Izraelin dhe Palestinën. Presidenti Bush thotë se synon ta arrijë këtë para se të largohet nga detyra deri në fund të vitit.//lk

XS
SM
MD
LG