Lidhje

Pakistan: Me shtyrjen e zgjedhjeve, e ardhmja politike e paqartë


Me shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare në Pakistan për muajin e ardhshëm, e ardhmja politike e vendit mbetet një çështje e hapur për shumë analistë.

Një pjesë e mirë e ekspertëve janë të një mendimi se vrasja e ish-kryeministres Benazir Bhutto e ka dobësuar presidentin Pervez Musharraf dhe e ka privuar atë nga ndoshta shansi më i madh për të vendosur demokracinë në Pakistan.

Xenia Dormandy e Qendrës Belfer të Universitetit të Harvardit thotë se pvarësisht nga përpjekjet për të ruajtur rendin dhe ligjin, Presidenti Musharraf nuk ka shumë hapësirë për të manovruar.

“Ai nuk ka shumë alternativa në këtë moment. Ai sapo ka humbur të vetmen politikane të rëndësishme që ishte e gatshme të punonte me të. Ajo kishte legjitimitet, kishte mbështetje. Por mesa duket ajo ishte e vetma politikane në Pakistan që e besonte një gjë të tillë. Dhe zoti Musharraf ka humbur partneren e tij të mundshme. Kjo është diçka tragjike për të. Nuk dihet ende nëse ai mund të gjejë një mënyrë për të menaxhuar atë që ka mbetur”.

“Gjenerali Musharraf ka humbur aftësinë për të kontrolluar rrjedhën e ngjarjeve dhe që tani e tutje ai do të duhet të përgjigjet”, thotë eksperti i çështjeve të Azisë Jugore Amit Pandya i Qendrës Henry L. Stimson në Washington. Ai paralajmëron se zoti Musharraf mund të humbasë kontrollin e vendit.

Megjithëse zgjedhjet parlamentare janë shtyrë deri muajin e ardhshëm, administrata e Presidentit Bush thotë se është e rëndësishme që ato të mbahen dhe të jenë të lira dhe të drejta.

Por shumë analistë, përfshirë Amit Pandyan, theksojnë se tranzicioni drejt demokracisë ka shumë mundësi të influencohet nga presioni ndërkombëtar ndaj Pervez Musharrafit, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara.

“Duhet të kemi shumë kujdes se si e shtyjmë atë të ecë drejt demokracisë. Por nga ana tjetër, nëse aleatët e tij të fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar i thonë se shqetësimi ynë kryesor është stabiliteti dhe gjendja e rendit në vend, atëherë ndoshta ai do të ndjejë një farë presioni për të shtypur në një farë mënyre, për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ose ndoshta edhe ligjin ushtarak”.

“Sigurisht që kjo është një fitore e kampit negativ. Nga ana tjetër mendoj se ka shanse për disa pasoja të paparashikuara dhe të padëshiruara”, thotë James Carafano, analist për çështjet e terrorizmit në Fondacionin Heritage në Washington.

Sipas tij, vrasja e Benazir Bhuttos megjithëse tragjike mund të hapë një front të ri më luftën kundër terrorizmit.

“Një nga rezultatet mund të jetë që njerëzve mund t’u ketë sosur durimi. Dhe kur të kenë një qeveri të re të zgjedhur në rrugë demokratike, mund t’i vënë ata para përgjegjësisë. Pika e vërtetë e kthesës në Irak për shembull ishte kur një grup krerësh fisnorë nuk e duruan dot më nivelin e dhunës dhe drejtimin që po merrte al-Kaida dhe vendi, u kthyen atyre shpinën dhe filluan të vrasin agjentë të al-Kaidës. Kjo mund të ndodhë edhe në Pakistan”.

Por shumë ekspertë thonë se trazirat që kanë shpërthyer në vend pas vrasjes së zonjës Bhutto janë një hap prapa për luftën kundër terrorizmit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Ndërsa shumë analistë thonë se është e rëndësishme që Pakistani të mbajë zgjedhje dhe të rikthejë procesin demokratik, të tjerë e vënë theksin tek skena politike e përçarë.

Patrick Basham, ekspert për Azinë Jugore në Institutin Cato në Washington thotë se pakënaqësia e madhe e pakistanezëve me Amerikën, e kufizon aftësinë e saj për të ndikuar në rrjedhën e ngjarjeve. Ai shton se për politikanët pakistanezë është kthyer në minus afërsia me Shtetet e Bashkuara.

Por disa ekspertë, përfshirë Seth Jones të Korporatës Rand thonë se gjendja e sigurisë në Pakistan po e shtyn Pervez Musharrafin drejt Shteteve të Bashkuara.

“Ky lloj varianti militant i islamizmit ekstremist që gjendet në zonat fisnore është një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj shtetit të Pakistanit. Kështu që vënia nën kontroll e situatës është në interesin e vetë Pakistanit tani. Mendoj se ajo që po ndodh është përputhja e interesave të qeverive amerikane dhe pakistaneze në luftën kundër tyre. Përsa kohë që Shtetet e Bashkuara ta kenë këtë lloj interesi, mendoj se një zgjidhje afatgjatë gjithsesi është e mundur”.

Që nga viti 2001, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë rreth 10 miliardë ndihmë ushtarake Pakistanit. Kohët e fundit Amerika akordoi rreth 750 milionë dollarë për projekte zhvillimi dhe rindërtimi në rajonin e brezit fisnor në kufi me Afganistanin, ku mbështetja për ekstremizmin është e fortë. Ideja është që të rekrutohen aleatë në zonën e trazuar.

Por shumë analistë paralajmërojnë se ekstremizmi po rritet në Pakistan. A do të ndryshojë apo jo kjo prirje, thonë ata, mund të varet nga fakti nëse zgjedhjet që tani pritet të mbahen më 18 shkurt, do të zhvillohen. //kk//

XS
SM
MD
LG