Lidhje

Pasuria e naftës, feja dhe demokracia në vendet në zhvillim

  • Brian Padden

Mallkimi i naftës, është një term që shpesh përdoret për të shpjeguar pse shumë vende të pasura në burime natyrore mbeten të pa zhvilluara dhe të paqendrueshme. Korrupsioni dhe mungesa e demokracisë shpesh përmenden si faktorë që sjellin këtë gjendje. Azerbaixhani i pasur në naftë por me regjim njëpartiak, përballet me papunësi të madhe dhe popullsia e tij myslimane po bëhet gjithnjë e më e pakënaqur.

Për lutjet e së premtes në xhaminë Abu Bakr të Baku-së vijnë aq shumë njerëz saqë disa luten në rrugë. Shumica e popullsisë në shtetin e Azisë Qendrore, Azerbaixhan është myslimane. Shumë prej tyre nuk e praktikonin dot fenë gjatë sundimit sovjetik. Por ndërsa besimtarët që falen këtë të premte thonë se ringjallja e fesë në periudhën pas sovjetike nuk ka prirje radikale, qeveria ka shprehur shqetësim rreth shtimit të ekstremizmit islamik.

Ministri i Çështjeve Fetare Hidayat Orujov thotë se agjentët e huaj përdorin disa organizata fetare për të kryer akte terroriste. “Ata po nxisin destabilizimin në Azerbaixhan përmes organizatave të tyre. Megjithatë qeveria e Azerbaixhanit dhe policia po ushtron kontroll të rreptë për t’i frenuar raste të tilla negative.”

Thuhet se xhamia Abu Bakr ka lidhje me fondamentalistët e sektit saudit Wahhabi që është për ligjin e rreptë islamik. Por njerëzit atje e mohojnë këtë dhe thonë se skanë lidhje me politikën.

Përkundrazi, thonë ata, qeveria po na ve ne shenjestër dhe po na bie në qafë. Haxhi Agatagi thotë se ishte arrestuar pa shkak, ndaluar për pesë ditë dhe detyruar të rruajë mjekrën. “Kur më ndaloi policia, u kërkova të më tregonin ligjin që ndalon mjekrën. Ata më thanë se isha vahabist dhe duhet të më ndalonin pasi kjo ishte një procedurë normale që zbatohej për ne.”

Azerbaixhani tradicionalisht ka qenë një shoqëri tolerante. Gratë atje vishen më shumë si në Paris se sa si në Teheran. Qeveria e paraqet veten si laike por është edhe autokrate dhe nuk e lejon konkurrencën politike.

Ilgar Mammadov i Insitutit të Studimeve Politike në Baku thotë se shtypja politike po fillon të krijojë pakënaqësi. “Kërcënimi i vërtetë fondamentalist do të vijë pas 10 apo 15 vjetësh nëse Azerbaixhani vazhdon kështu duke falsifikuar zgjedhjet dhe shtypur demokracinë. Ato që shikojmë sot janë shenja paralajmëruese.” Mammadov thotë se presioni ndërkombëtar dhe reformat e vërteta demokratike nevojiten për tu ofruar njerëzve alternativa të moderuara.

Shtetet e Bashkuara thonë se synimi i tyre në Azerbaixhan është promovimi i ndërtimit të institucioneve demokratike për sigurinë afatgjatë në rajon. Por disa kritikë thonë se kur duhet zgjedhur mes promovimit të demokracisë apo naftës nga Azerbaixhani, Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë gjithmonë atë që duhet. Ja si shprehet Alex Alexiev i Qendrës për Politikat e Sigurisë këtu në Washington: “Ne nuk u kemi qendruar plotësisht besnikë parimeve tona për promovimin e demokracisë.” Ai thotë se Washingtoni është më pak kritik ndaj shteteve autoritare nëse ato janë aleate strategjike si Azerbaixhani, politikë që ai e quan dritëshkurtër.

Ndaj Alexiev i kërkon perëndimit që të bëjë më shumë për të ndërtuar qeveri demokratike të moderuara për të siguruar interesin strategjik afatgjatë në rajonin e Kaspikut. //rd//

XS
SM
MD
LG