Lidhje

SHBA: Beteja për kandidatët për president zhvendoset në New Hampshire


Shteti New Hampshire është fusha e re e betejës për kandidatët që kërkojnë kandidimin për President si nga Partia Demokrate ashtu dhe nga ajo Republikane. Në këtë shtet, të martën zhvillohen zgjedhjet e para paraprake në Shtetet e Bashkuara dhe sipas sondazheve kandidatët janë shumë pranë njeri – tjetrit.

Ditën pas konferencave partiake në shtetin e Iowa-s, kandidatët kryesore republikanë dhe demokratë vërshuan në shtetin veri lindor të New Hampshire-t, ku do të zhvillohet gara e ardhshme e rëndësishme për fushatën presidenciale.

Dante Scala, profesor i shkencave politike në Universitetin e New Hampshire-t, tha se fitorja në shtetin e Iowaj i ka dhënë Senatorit i shtetit të Ilinoit, Barack Obama një shtysë të fortë.

“Barak Obama ka treguar se ai është kandidat i fortë dhe se do të ketë një efekt të madh tek votuesit e pavendosur dhe pavarur në shtetin e New Hampshire-t”.

Votuesit e pavarur në New Hampshire, të cilët nuk janë regjistruar as në partinë republikane as në atë demokrate, përbëjnë rreth 45 % të elektoratit.

Zoti Obama, i cili është duke kandiduar me synimin që të bëhet Presidenti i parë afrikano-amerikan, mundi me lehtësi ish-senatorin John Edwards dhe Senatoren e shtetit të New York-ut, Hillary Clinton në konferencat partiake në Iowa.

Zoti Scala tha se një pjesë e madhe e votuesve të pavarur në New Hmpshire kanë në plan ta japin votën për zgjedhjet paraprake të partisë Demokratike dhe anojnë të votojnë për zotin Obama pas fitores së tij në Iowa.

“Shqetësimi për Hillary Clintonin nuk është se simpatizantët e saj nuk do të dalin të hedhin votën. Shqetësimi për të duhet të jetë se ajo do të marrë një goditje nga të pavendosurit, të cilët anojnë nga demokratët dhe të martën votojnë në favor të zotit Obama”.

Në kryeqendrën e shtabit elektoral të zotit Obama në Manchester më shumë se 100 mbështetës u telefonojnë votuesve, duke u bërë thirrje të mbështesin kandidatin e tyre.

Laura Tsunoda, 18 vjeçare që jeton në anën tjetër të Amerikës, në qytetin e San Diego-s në Kaliforni, është një nga vullnetaret në fushatën e zotit Obama.

“Kjo është një kohë vërtet vendimtare. Këto janë zgjedhje kaq të rëndësishme në një vit kaq interesant. Është një kandidat që më frymëzon dhe ndjehem me fat të jem pjesë e kësaj fushate”.

Përsa i përket kandidatëve republikanë, ish-Guvernatori i shtetit të Arkansasë, Mike Huckabee, një ish-prift i kishës Baptiste, u mbështet fort nga të krishterët evangjelistë dhe siguroi një fitore të rëndësishme në Iowa.

Në New Hampshire, anketat tregojnë se në këto momente ai është pas ish-Guvernatorin e shtetit të Massachusetts, Mitt Romney dhe Senatorit të Arizonës, John McCain.

Analisti politik, Dante Scala, tha se zoti McCain, i cili fitoi zgjedhjet paraprake në New Hampshire në një garë presidenciale të pasukseshme në vitin 2000, është duke fituar mbështetje nga votuesit të cilët kishin mbështetur ish-Kryetarin e Bashkisë së New York-ut, Rudi Giuliani.

“Gjatë dy javëve të fundit, John McCain është i vetmi republikan në New Hampshire mbështetja për të cilin është forcuar. Ai e arriti këtë duke bërë për vete mbështetësit e zotit Giuliani. Ndërkohë, rezultatet e anketave për këtë të fundit ishin gjithmonë e më të dobëta, pasi republikanët e moderuar që po mendonin të mbështesnin zotin Giuliani, janë duke shkuar në drejtim të të njohurit të tyre të vjetër, John McCain.”

Deri të martën, kandidatët për presidentë do të zhvillojnë fushatë elektorale në të gjithë New Hmpshire-n. Ata kanë planifikuar debate dhe janë duke bërë shumë reklama televizive.

Zoti Scala tha se këtu, problemet kryesore që shqetësojnë votuesit janë lufta në Irak, lufta kundër terrorizmit, kujdesi shëndetësor dhe emigracioni i paligjshëm.//kk//

XS
SM
MD
LG