Lidhje

Venezuela, bumi i naftës dhe si po ndikon ai në ekonominë e saj

  • Brian Wagner

Çmimet në rritje të naftës në botë i kanë sjellë fitime të mëdha ekonomisë së Venezuelës. Çmimet e larta kanë sjellë sidomos fitime për kompaninë shtetërore të naftës dhe punonjësit e saj dhe kanë mbushur arkat e bankave që u japin kredi konsumatorëve. Si rrjedhojë, është shtuar mjaft kërkesa për objekte luksi dhe automobilë, sidomos kamionë dhe makina të tjera të mëdha.


Shitësi i makinave, Rigoberto Guaramata thotë se po përpiqet t’i bëjë ballë kërkesës."Shumë shitës makinash kanë lista pritjeje sepse kërkesa është rritur ndërsa oferta nuk e përballon dot."

Kredia e lehtë dhe benzina e lirë kanë ndihmuar shitjet e makinave. Të mbushësh një serbator kushton disa dollarë. Dizenjatorja Laura Lozano thotë se si shumë të tjerë edhe ajo po shfrytëzon rastin për të blerë një makinë të dytë. "Çdo njeri duhet të ketë makinë, nuk ka pse të udhëtojë me metro apo me taksi. Kur ke makinën tënde shmang edhe vjedhjet."

Kërkesa e lartë për mallra ka rritur edhe inflacionin i cili vitin e kaluar arriti 22 përqind. Kontrolli qeveritar i çmimeve ka çuar ndërkohë në mungesa si në makina, qumësht, sheqer dhe ushqime të tjera, duke i detyruar zyrtarët të kërkojnë zgjidhje të tjera.

Këtë javë Venezuela hodhi në qarkullim një monedhë të re e cila i heq tre zero asaj të mëparshme. Mallrat që më parë kushtonin 80-mijë Bolivar tani kushtojnë 80. Në një fjalim televiziv, Presidenti i Bankës Qendrore Gaston Parra tha se ky ndryshim do të forcojë ekonominë."Kjo ishte e nevojshme për të lënë pas hisatorinë e problemeve të shkaktuara nga inflacioni i lartë."

Disa ekonomistë thonë se vetëm monedha e re mund të mos mjaftojë për të zbutur inflacionin. Guaramata thotë se ka shqetësime se shitësit mund të shfrytëzojnë rastin dhe të ngrejnë çmimet. “Monedha e re mund t’u mundësojë shitësve të makinave të rrisin çmimet deri 50 përqind. Në fakt shumë shitës i ngritën ato edhe para këtij ndryshimi të monedhës.”

Çmimet ndërkombëtare të naftës kanë vazhduar të rriten dhe kjo nënkupton se blerësit venezuelianë do të vazhdojnë të shpenzojnë shumë edhe gjatë këtij viti. //IB

XS
SM
MD
LG