Lidhje

Traktati START 1 mes SHBA dhe Rusisë dhe e ardhmja e tij


Rusia ka pezulluar pjesëmarrjen e saj në Traktatin e Forcave Konvencionale në Evropë dhe ka kërcënuar se do të tërhiqet nga traktati i raketave bërthamore me rreze të mesme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera i hedh një vështrim një tjetër marrëveshjeje për armët mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë – traktatit për Reduktimin dhe Kufizimin e Armëve të Sulmit të njohur si “START një”.

Traktati për Reduktimin dhe Kufizimin e Armëve i njohur si START 1, u negociua në vitin 1980, u nënshkrua nga presidenti amerikan George Herbert Walker Bush dhe udhëheqësi sovietik Mikhail Gorbachev në vitin 1991, dhe hyri në fuqi në vitin 1994.

Ky ishte traktati i parë që kërkonte zhdukjen e sistemeve të armëve bërthamore amerikane dhe ruse. Ky traktat vendoste kufizime për të dyja palët me 6 mijë mbushje bërthamore strategjike me rreze të gjatë. Ai kufizonte edhe numrin e sistemeve strategjike si bombarduesve dhe raketave që lëshohen nga toka dhe nga nëndetëset në një mijë e 600 për sejcilën palë.

Wade Boese nga Shoqata private për Kontrollin e Armëve thotë se traktati përfshinte edhe masa verifikuese. “Traktati ka një vlerë të qëndrueshme sepse ka rregulla dhe mekanizma që i lejojnë sejcilës palë të marrë informacione për forcat e palës tjetër dhe vendndodhjen e tyre. Pra ky është mjet i rëndësishëm për të krijuar besim dhe transparencë mes dy ish-kundërshtarëve.”

Michael Levi është ekspert i kontrollit të armëve në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë. Ai thotë se në vitin 2002, dy palët nënshkruan një marrëveshje të re, Traktatin e Moskës, të njohur gjithashtu si Traktati për Reduktimin e Strategjive Ofensive. “Ky traktat kërkon reduktimin nga të dy palët në rreth një mijë e 700 deri në dy mijë e 200 armë të dislokuara bërthamore, por nuk kërkon shkatërrimin e mbushjeve të hequra nga armët.”

Por Steve Andreasen, ekspert i kontrollit të armëve i cili ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së presidentit Klinton, thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po tregojnë se Traktati për Reduktimin dhe Kufizimin e Armëve START 1 nuk do të zgjatet me formulimin që ka aktualisht ky dokument.

Por ndërkohë që zyrtarët amerikanë dhe rusë diskutojnë fatin e START 1, ekspertët si Wade Boese thonë se Moska vazhdon modernizimin e raketave të saj me rreze të gjatë.

Jason Lyall, një ekspert i çështjeve ruse në Universitetin Princeton, thotë se presidenti Vladimir Putin po ndjek një strategji të dyanshme për sa i përket kontrollit të armëve. Nga njëra anë, thotë ai, presidenti Putin nuk do të hyjë në një garë armësh. Ato janë destabilizuese dhe të shtrenjta. Nga ana tjetër, nëse ul numrin e armëve tek të dy palët, Rusia mund të përballojë modernizimin e armëve të mbetura.

Shumë ekspertë nuk besojnë se presidenti Bush dhe Putin do të arrijnë marrëveshje për zgjatjen e traktatit START I. Ata thonë se nëse zoti Bush dhe zoti Putin nuk arrijnë një marrëveshje, atëherë do t’u takojë dy udhëheqësve të rinj ta bëjnë këtë, meqenëse të dy presidentët e tanishëm do ta kenë përfunduar mandatin e tyre deri në kohën e skadimit të traktatit START 1 në vitin 2009. //ii

XS
SM
MD
LG