Lidhje

Gjeorgji: Rezultatet e zgjedhjeve sinjalizojnë fitoren e Presidentit Sakashvili


Rezultatet e votimeve në zgjedhjet presidenciale të së shtunës në Gjeorgji vazhdojnë të mblidhen, ndërsa votat e mbledhura deri tani i japin Presidentit Mikhail Saakashvili një fitore me diferencë të ngushtë. Vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se këto zgjedhje ishin gara e parë vërtet konkurruese presidenciale që u dhanë mundësi gjeorgjianëve të bëjnë zgjedhjen e tyre politike. Por opozita thotë se ato janë të manipuluara.

Qindra vëzhgues ndërkombëtarë të OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian shkuan në Gjeorgji për të ndjekur zgjedhjet. Koordinatori i OSBE-s, kongresmeni amerikan Alcee Hastings thotë se nuk kishte parë ndonjëherë aq shumë vëzhgues në asnjë nga qindra zgjedhjet që kishte ndjekur. Duke folur në emër të misionit të vëzhguesve, Kongresmeni Hastings tha se votimi presidencial në Gjeorgji ishte në thelb në përputhje me shumicën e standardeve të OSBE-së dhe KE-së për zgjedhje demokratike.

“Demokracia bëri një hap triumfant falë konkurrencës së dukshme të kësaj fushate. Unë i shoh këto zgjedhje si një shprehje e vendimit të lirë të popullit gjeorgjian, por a ardhmja paraqet sfida të jashtëzakonshme,” thotë zoti Hastings.

Kongresmeni Hastings dhe vëzhgues të tjerë përmendën pretendime për frikësime ndaj punonjësve rë sektorit publik, përdorimin e burimeve shtetërore dhe pasqyrimit në media në favor të presidentit aktual, blerje votash dhe shkelje të tjera.

Delegacioni i vëzhguesve vuri në dukje gjithashtu një nivel të lartë mosbesimi dhe polarizimi në shoqërinë e Gjeorgjisë. Vëzhguesit u bënë thirrje të dyja palëve, duke u kërkuar të gjithë faktorëve politikë të respektojnë legjitimitetin e zgjedhjeve dhe qeverisë që të ndërmarrë reforma të menjëhershme zgjedhore që duhet të jenë gati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Gazetarët pyetën nëse shkeljet do të ndikonin në rezultatin përfundimtar, por kongresmeni Hastings tha se nuk do të ishte me vend që të bëheshin komente në këtë drejtim, sepse numërimi i votave ende vazhdonte kur u bë konferenca për shtyp dje. Opozita u ankua se zyrtarët e zgjedhjeve po e zvarrisnin nxjerrjen përfundimtare të votave.

Përkrahësit e presidentit Saakashvili filluan të festonin që pasi anketat në dalje të qendrave të votimit lanë të kuptohej se ai kishte fituar, ndërsa për kundështarët kjo ishte arsye për protesta ndaj atyre që ata e konsiderojnë zgjedhje të vjedhura.

Të paktën 5 mijë anëtarë të opozitës u mblodhën në qendër të Tbilisit për të protestuar ndaj votimeve. Në komentet për Zërin e Amerikës, zoti Gachechiladze e hodhi poshte kategorikisht përfundimin e vëzhguesve ndërkombëtarë se zgjedhjet e së djeshmes ishin demokratike. Ai thotë se ky përfundim do ta përçajë edhe më tej Gjeorgjinë në dy pole të kundërta.

“Ajo që po vërejnë vëzhguesit tani është ndarja në dy pole. Njëri ai i Saakashvilit dhe tjetri ku hyn gjithë Gjeorgjia. Dhe kjo nuk është pozitive për demokracinë e Gjeorgjisë. Do t’i japë mundësi Saakashvili që të vazhdojë regjimin e tij autoritar dhe ndoshta shumë shpejt do të kemi një diktator”.

Zoti Saakashvili shpalli zgjedhje të parakohëshme presidenciale pasi policia përdori forcën në fillim të nëntorit për të shtypur protestat kundër qeverisë së tij. Udhëheqësi gjeorgjian tha se votimet do t’i jepnin vendit një shans për të shëruar plagët e shkaktuara nga ngjarjet e nëntorit. Por mosbesimi i thellë është i dukshëm në të gjitha qelizat e shoqërisë gjeorgjiane që feston sot Krishtlindjet. Protesta të mëtejshme pritet të mbahen nesër. //ad//

XS
SM
MD
LG