Lidhje

Një ditë para zgjedhjeve në Nju Hempshër, Obama dhe Mekein kryesojnë garën

  • Xhim Malone

Kandidatët amerikanë për president po bëjnë përpjekjen e fundit për të siguruar votat, një ditë para zgjedhjeve paraprake në Nju Hempshër. Anketat e fundit tregojnë se Barak Obama është në krye të kandidatëve demokratë dhe Xhon Mekein në krye të atyre republikanë.

Përkrahësit e Barak Obamës janë plot besim pas dy anketave të reja që tregojnë se kandidati i tyre kyeson me më shumë se 10 përqind ndaj senatores Hillari Klinton.

“Pas 24 orësh, banorët e shtetit Nju Hempshër mund të ngrihen dhe të thonë - tani është radha jonë për t’i sjellë Amerikës ndryshimin që i nevojitet.”

Pёrkrahësit e zonjës Klinton janë të shqetësuar për zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër, megjithëse kandidatja ka premtuar se do ta vazhdojë fushatën e saj pavarësisht nga rezultatet e nesërme.

Zonja Klinton po përpiqet t’i përgjigjet argumentit kryesor të zotit Obamës se ai është kandidati që mund të sjellë ndryshime në Uashington.

“Nëse do të flasim për ndryshime, atëherë le të flasim për to. Le të flasim për ata që kanë bërë ndryshime dhe se kush ka më shumë të ngjarë që të sjellë ndryshime të tjera.”

Senatori Obama e mundi zonjën Klinton në votimet e javës së kaluar në Ajova, dhe një fitore në Nju Hempshër do ta bënte senatorin nga shteti Illinoi kandidatin kryesor demokrat në garën për emërimin nga partia e tij. Ish senatori Xhon Eduards po zhvillon gjithashtu një fushatë mjaft energjike në Nju Hempshër, pas radhitjes në vendin e dytë në Ajova.

Megjithatë, zoti Eduards ende renditet pas senatorit Obama dhe zonjës Klinton në anketa. Në garën për emërimin në partinë republikane, anketat tregojnë se senatori Xhon Mekein nga Arizona mund të dalë fitues në Nju Hempshir. Dhe vetëm 24 orë nga votimet paraprake në Nju Hempshër, senatori Mekein e filloi ditën e fundit të fushatës në Nju Hempshër me një tubim në qytetin Nashua.

“ Unë jam optimist për të ardhmen e këtij vendi. Unë mendoj se mund ta udhëheq atë. Dhe nesër është dita kur ne do t’i themi botës se shteti Nju Hempshër e zgjodhi përsëri presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara,” - thotë Mekein.

Zoti Mekein ka një përparësi të ngushtë ndaj ish guvernatorit të shtetit Masaçusets Mit Romni. Ndërsa ky i fundit shpreson të fitojë në Nju Hempshiër pas radhitjes në vendin e dytë në votimet e Ajovas. Zoti Romni thotë se senatori Mekein ka qenë në Uashington për një kohë shumë të gjatë dhe nuk mund të sjellë shumë ndryshime.

“Uashingtoni është dëmtuar, dhe një nga arsyet përse unë kandidoj është sepse mendoj se përvoja ime në sektorin privat, puna vullnetare dhe përvoja si guvernator më kanë mësuar si të sjell ndryshime rrënjësore”, - thotë ai.

Ish guvernatori i shtetit Arkansa, Majk Hakëbi, renditet pas zotit Mekein dhe zotit Romni në Nju Hempshër. Zoti Hakëbi fitoi në votimet e Ajovas javën e kaluar, megjithëse ka mbetur pas në anketa së bashku me ish senatorin Fred Tompson nga shteti Tenesi, anëtarin e kongresit nga Teksasi Ron Pol dhe ish kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut Rudi Xhuliani.//lk

XS
SM
MD
LG