Lidhje

Shqipëri: Socialistët ofrojnë bashkëpunim për anëtarësimin në Nato


Teksti i rezolutës së propozuar nga partia socialiste është në të vërtetë forma zyrtare e asaj që kryetari socialist Edi Rama prezantoi dje si nismë të forcës që ai drejton, për të mundësuar një bashkëpunim real të të gjitha partive mbi cështjen e anëtarësimit në Nato.

Shqipëria shpreson që në takimin e nivelit të lartë të Aleancës, që do të mbahet në prill të këtij viti në Bukuresht, të marrë ftesën për t’u bërë anëtare e kësaj organizate. Por vendit i është kërkuar, në formën e një kushti për t’u plotësuar, realizimi i reformës në Drejtësi dhe asaj elektorale.

Dy reforma të cilat kërkojnë domosdoshmërisht një mbështetje që i kalon numrat aktualë të shumicës së djathtë në parlament. Klima e tensionuar politike ka bërë që deri më tani ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë dhe atë zgjedhor të mbeten në vendnumëro.

Në tesktin e rezolutës së propozuar nga kryetari socialist nënvizohet domosdoshmëria e kapërcimit të kësaj klime konfliktuale. Socialistët kërkojnë miratimin e këtij teksti nga parlamenti, si një formë e angazhimit konkret të të gjitha forcave politike.

Ashtu siç dhe kishte paralajmëruar që dje, në reagimin e saj, kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli mblodhi konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare duke fiksuar 21 janarin si datën e hapjes së punimeve të parlamentit.
Një hap i parë u hodh që sot.

“Konferenca e kryetarëve vendosi me unanimitet që pasnesër Komisioni I ligjeve të nis nga puna me reformën në drejtësi, me ligjin për riorganizimin e gjyqësorit dhe ky do të ishte një hap shumë pozitiv për konkretizimin e angazhimeve të përbashkëta që ne tashmë I kemi bërë publike”, tha Astrit Patozi, kryetar I grupit parlamentar të Partisë demokratike.

Ndërsa kryetarja e grupit parlamentar socialist Valentina Leskaj tha se kishin kërkuar nga shumica një platformë të qartë të reformës në drejtësi mbi të cilën të punohet:

"Ne kemi kërkuar nga mazhoranca për të patur një platformë të qartë e konkrete, ky synon dhe cfarë përfshin paketa e refromës në drejtësi në mënyrë që edhe ne si opozitë t’I përgjigjemi të gjitha hapave konkret dhe të punojmë mbi bazën e disa modaliteteve, që të mos jetë një process sponatn që cfarë të na dali përpara, por një proces I mirë organizuar dhe që I kontribuon kërkesave që ka reformimi I drejtësisë në Shqipëri dhe kërkesave të institucioneve ndërkombëtare".

Ndërsa kryetari i lëvizjes socialiste për Integrim Ilir Meta kërkoi një planveprimi të qartë dhe ndërhyrje me shpejtësi për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore:

“Miratimin nga parlamenti, mundësisht që nesër, të një plan veprimi për konkretizimin e këtyre dy reformave të mëdha dhe deficitare për vendin dhe për politikën tonë”.

Nëse kjo frymë e shprehjes së vullnetit të të gjitha palëve për bashkëpunim do të konkretizohej deri në fund atëherë kjo do të përbënte dhe një kthesë të rëndësishme në jetën politike të vendit. (ze)

XS
SM
MD
LG