Lidhje

Presidenti Bush viziton Lindjen e Mesme


Presidenti Bush niset sot në mbrëmje në Lindjen e Mesme për të nxitur përpjekjet për paqe në rajon si dhe për të forcuar lidhjet me vendet e Gjirit Persik. Ndërkohë që Presidentit i ka mbetur vetëm një vit në mandatin e tij të dytë dhe të fundit si President, ky udhëtim po cilësohet si një ndër më të gjatët dhe më ambiciozët e Presidencës së tij.

Vizita e Presidentit Bush në Lindjen e Mesme pason konferencën e organizuar nga Shtetet e Bashkuara me udhëheqës izraelitë dhe palestinezë në Anapolis të Merilandit. Presidenti thotë se synon të ruajë inercinë e përftuar nga kjo konferencë.

“Besoj se tani është koha e përshtatshme për të shtyrë përpara programin e parashtruar në Anapolis. E ndërmarr këtë vizitë tani, pasi mendoj se është shansi për të qenë i efektshëm. Do të parashtroj 3 synime: vizionin tim për ekzistencën e 2 shteteve: Izraelin dhe Palestinën, të cilat të bashkëjetojnë në paqe pranë njeri-tjetrit, e dyta do të përpiqem të bind miqtë dhe aleatët tanë në rajon se është në interes të tyre të mbështesin procesin e paqes, dhe gjithashtu synoj t’ua kujtoj njerëzve se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në përpjekjet për siguri në rajon dhe se jemi të angazhuar në mënyrë aktive në Lindjen e Mesme”.

Kjo është vizita e parë e zotit Bush në Izrael dhe Lindjen e Mesme si President, dhe do të pasohet nga ndalesa në Kuvajt, Bahrein, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Egjipt. Sapo të mbërrijë e mërkurë në Jeruzalem, Presidenti do të fillojë menjëherë takimet me udhëheqës izraelitë dhe më pas me përfaqësues të Autoritetet Palestinez në Bregun Perëndimor. Krijimi i shtetit palestinez është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, megjithatë, Presidenti shprehet optimist se mund të bëhet përparim i rëndësishëm gjatë vitit të fundit që atij i mbetet në post.

“Mendoj se korniza, apo përkufizimi i shtetit mund të realizohet. Realizimi i këtij objektivi do të kërkojë një plan veprimi. Me fjalë të tjera, ka shumë punë përpara. Duhen reformuar forcat palestineze të sigurimit. Duhet nxitur me kapital klasa sipërmarrëse. Duhen forcuar institucionet qeverisëse. Krijimi i shtetit varet nga realizimi i këtyre objektivave”.

Gjatë qëndrimit të tij në Lindjen e Mesme, pritet që të dalë për diskutim edhe çështja e programit bërthamor të Iranit, në veçanti konkluzionet e shërbimeve amerikane të zbulimit se Irani nuk ka më një program armësh. Presidenti thotë se do t’ua bëjë të qartë vendeve të rajonit, se megjithë përfundimet e raportit, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta konsiderojnë Iranin si kërcënim:

“.... Irani ka pasur më parë një program të fshehtë armësh, të cilin më pas e pezulloi. Do të theksoj në diskutimet në Lindjen e Mesme se një regjim që ka pasur më parë një program të tillë, mund ta rifillojë pa problem këtë program përsëri”.

Për këtë arsye, thekson Presidenti, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë presionin përmes sanksioneve, në mënyrë që Irani të mos sigurojë kapacitetin teknologjik për të prodhuar armë bërthamore.

Presidenti pohon se në atë rajon të botës nuk gëzon shumë popullaritet, por shton se shpreson që njerëzit ta kuptojnë se vizioni i tij për të ardhmen është një Lindje e Mesme në paqe. (ze)

XS
SM
MD
LG