Lidhje

Presidenti Bush fillon turneun në Lindjen e Mesme me një ndalesë në Jeruzalem


Kryeministri izraelit Ehud Olmert thotë se si udhëheqësit izraelitë, ashtu edhe ata palestinezë, janë seriozisht të angazhuar në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për paqe.

Pas takimit me Presidentin Xhorxh Bush që zgjati afro 3 orë, zoti Olmert pranoi se negociatat ndeshen me një numër vështirësish dhe shtoi se për sa kohë që ekzistojnë kërcënime ekstremiste nga Gaza, e cila është nën kontrollin e Hamasit, do të jetë shumë e vështirë të arrihet mirëkuptim.

Presidenti Bush tha se të dyja palët duhet të bëjnë zgjedhje të vështira, por shtoi se ekziston një mundësi historike për arritjen e një zgjidhje përmes ekzistencës së dy shteteve. Presidenti Bush tha se Izraeli duhet të eliminojë vendbanimet e krijuara në territore të diskutueshme dhe palestinezët duhet të ndalin sulmet terroriste.

Vizita e Presidentit Bush në Izrael u shoqërua me një protestë, ku morën pjesë të paktën 5 mijë përkrahës të Hamasit në Gazë, të cilët dënonin politikat amerikane në Lindjen e Mesme.

Grupe radikale izraelite kanë kritikuar nga ana e tyre qëndrimin e Presidentit Bush duke e cilësuar si tepër të butë ndaj palestinezëve. Nesër, Presidenti shkon në Bregun Perëndimor për një takim të posaçëm me Presidentin palestinez Mahmud Abaz.//lk

XS
SM
MD
LG