Lidhje

Portret i politikanit Hashim Thaçi


Ish-komandanti i UÇK-së, Hashim Thaçi merr tani drejtimin e qeverisë së re të Kosovës. 39-vjeçari Thaçi do të kryesojë një qeveri koalicioni në një kohë që Kosova shkon drejt zgjidhjes së statusit të saj politik. Hashim Thaçi do të jetë kryeministri i pestë i Kosovës që vendosjes së administratës së OKB-së atje në vitin 1999.

Hashim Thaçi shihet në shkallë të gjerë si një politikan i mprehtë, që bëri përpjekje të shumta për të marrë pushtetin. Partia e tij Demokratike, e cila mori shumicën e votave në zgjedhjet e nëntorit, do të qeverisë në koalicion me Lidhjen Demokratike të rivalit të tij, Presidentit Fatmir Sejdiu. Thaçi ka premtuar se shpallja e pavarësisë do të jetë përparësia e tij, por ka paralajmëruar se hapat drejt saj do të bashkërendohen me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Hashim Thaçi lindi në Drenicë në Kosovën qendrore, e cila shihet si një ndër vatrat më të zjarrta të qëndresës së shqiptarëve kundër sundimit serb. Në këtë zonë një kompleks i tërë ku banonte familja Jashari u sulmua nga forcat serbe, duke rezultuar në vrasjen e mbi 50 pjesëtarëve të saj, ndër të cilët edhe gra dhe fëmijë. Incidenti i dha hov qëndresës dhe përkrahjes për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Thaçi, i cili vepronte me pseudonimin e luftës “Gjarpri”, bëri emër në atë kohë si udhëheqës politik i forcave kryengritëse, kur mori përgjegjësinë për një numër sulmesh kundër autoriteteve serbe. Së bashku me bashkëluftëtarët e tij, ai i bënte sfidë udhëheqësit të lëvizjes paqësore Ibrahim Rugova.

Shtypja e egër që ndërmorën forcat serbe ndaj kësaj lëvizjeje shtoi përkrahjen e popullatës për UÇK-në duke e shndërruar konfliktin në një luftë të përgjithshme në vitin 1998. Luftimet e vunë Kosovën në krye të përparësive të bashkësisë ndërkombëtare.

Në 1999 Hashim Thaçi mori pjesë në konferencën e organizuar në Rambuje të Francës për t’i dhënë fund luftimeve. Thaçi, një udhëheqës i ri si në moshë edhe në përvojë, është krahasuar shpesh me Gery Adams, udhëheqësi i krahut politik të Ushtrisë Republikane Irlandeze. Prestigji i tij u rrit me shpejtësi dhe ai gëzonte respektin e Sekretares së atëhershme të Shtetit Madalen Ollbrajt.

Pas një presioni të konsiderueshëm ai nënshkroi marrëveshjen e kompromisit që nuk garantonte pavarësinë. Mbetet i paharruar momenti kur ai u largua në mënyrë të papritur nga bisedimet në Rambuje, u kthye në Kosovë për të qetësuar bashkëluftëtarët e tij që ishin zemëruar nga veprimet e tij. Pasi arriti të rifitonte mbështetjen e tyre, Thaçi u kthye në Rambuje për nënshkrimin e marrëveshjes.

Por Beogradi nuk pranoi të nënshkruante marrëveshjen për tërheqjen e forcave nga Kosova. Natoja ndërmori një fushatë ajrore 78 ditëshe kundër Jugosllavisë. Fushata përfundoi me tërheqjen e forcave serbe dhe vendosjen e një administrate të OKB-së dhe të një misioni paqeruajtës të Natos.

Pas luftës, diplomatët e huaj e shihnin Hashim Thaçin si një udhëheqës të rëndësishëm në përpjekjet për të rivendosur qëndrueshmërinë. Ai luajti rol kyç në çmobilizmin e forcave të UÇK-së dhe në nënshkrimin e një marrëveshjeje për t’i transformuar këto luftëtarë në një forcë të reagimit të shpejtë.

Ai e zëvendësoi uniformën ushtarake me kostumin e politikanit dhe themeloi Partinë Demokratike të Kosovës, duke mbledhur rreth vetes ish-luftëtarë të UÇK-së. Megjithatë e kaluara e tij me UÇK-në e kishte njollosur në një farë mase imazhin e tij. Kaosi që pasoi përfundimin e luftës në Kosovë, shihej nga banorët në një shkallë si i shkaktuar nga ish-luftëtarët e UÇK-së.

Thaçi, i cili pritej të merrte një fitore dërrmuese në zgjedhjet e vitit 2000, humbi përballë ish-Presidentit Rugova. Ai humbi edhe zgjedhjet e 2001 dhe të gjitha votimet e zhvilluara deri në zgjedhjet e fundit të 2007. Megjithatë partia e tij ka vazhduar të jetë gjatë gjithë kohës blloku numër dy politik në Kosovë, duke i siguruar udhëheqësit të saj Hashim Thaçi një rol të konsiderueshëm në të gjitha zhvillimet e rëndësishme, përfshirë edhe negociatat me Beogradin mbi të ardhmen e Kosovës.

Në një mbrëmje festive me rastin e fitores në zgjedhjet e fundit, Thaçi u zotua të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për të bërë realitet pavarësinë e Kosovës. Ai u shpreh gjithashtu plot vetëbesim në këtë sipërmarrje të re politike: "Jam gati të drejtoj vendin!" //ad//

XS
SM
MD
LG