Lidhje

Gjermania e angazhuar në shfrytëzimin e energjisë alternative


Duke mos pasur thuajse asnjë burim nafte apo gazi natyror, Gjermania mbështetet tani për tani tek Rusia për 20 përqind të naftës së saj dhe një të tretën e importeve të gazit. Por ndërkohë që Rusia bëhet më diktatoriale dhe ka shenja se mund ta përdorë naftën si armë politike, Gjermania po i kushton vëmendje të madhe arritjes së pavarësisë energjetike – e veçanërisht zhvillimit të burimeve alternative të energjisë. Do të flasim më poshtë se si përpjekjet e Gjermanisë për të ulur nivelin e ndotjes kanë sjellë zhvillimin e mënyrave fitimprurëse për prodhimin e energjisë.

Turbinat e erës i sheh kudo në Gjermaninë rurale. Në disa rajone, energjia e erës prodhon deri në 20 përqind të energjisë elektrike që përdoret në rrjetet e Gjermanisë. Inxhinieri Hendrich Ziese tregon se sasia e prodhimit të një turbine varet nga moti. “Në ditë të mira mund të prodhojmë 20 mijë kilovat orë. Në ditë të këqia nuk prodhojmë asgjë.”

Gjermania filloi të investonte shumë në energjinë alternative për të arritur synimet e vendosura nga Protokolli i Kjotos në vitin 1997, marrëveshja globale për pakësimin e gazrave që shkaktojnë efektin serë. Gjermania ka arritur tashmë të ulë me 19 përqind çlirimin e dioksidit të karbonit, pjesërisht duke u dhënë subvencione kompanive që investojnë në teknologji të reja.

Hauke Eggers Mohman i kompanisë Notus Energy, që prodhon turbinat me erë, thotë se qeveria u ka garantuar atyre çmim të pandryshueshëm për 10 vjet për energjinë alternative. “Qeveria mbështet me anë të çmimeve fikse jo vetëm energjinë e erës por edhe forma të tjera energjie, në mënyrë që kompanitë private të ndërmarrin edhe projekte të tjera.”

Subvencionet qeveritare i kanë ndihmuar kompanitë të prodhojnë teknologji të reja energjitike në një kohë kur çmimet e naftës dhe gazit ishin relativisht të ulëta. Tani me çmimet rekord të naftës, Gjermania përfiton dy herë: prodhon energji alternative me çmim më të lirë dhe e eksporton këtë teknologji në të gjithë botën.

Një shembull është Kompania Puralube, e cila ripërpunon mbetjet e naftës për të prodhuar vaj të pastër lubrikant, naftë dhe gaz. Ky proces u zbulua në Shtetet e Bashkuara por u zhvillua në Gjermani sepse kjo e fundit i garantoi kompanisë përfitime në investimet e saj. Kjo firmë tani po bën plane për të hapur një uzinë ripërpunimi nafte në Shtetet e Bashkuara.

Andreas Shupel, i cili punon për këtë kopmani, thotë se investimet në teknologjinë energjitike që nuk është e dëmshme për mjedisin po sjellin përfitime ekonomike. “Ne jemi njerëz të biznesit, por jetojmë në një treg ku burimet pakësohen çdo ditë. Thuajse të gjithë e dinë se nuk mund të jetojmë përsëri siç kemi jetuar 20 vjetët e fundit.”

Megjithatë, Gjermania do ende shumë kohë për të qenë e pavarur në fushën e energjisë. Pavarësisht nga investimet në energjinë alternative, Susanne Droge në Institutin Gjerman për marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë thotë se nuk ka erë dhe diell të mjaftueshëm për të përmbushur nevojat energjitike të vendit. “Gjermania mund të rrisë energjinë alternative të prodhuar në vend, por ne nuk do të bëhemi dot të pavarur. Kjo është ëndërr. Ne do të na duhet të varemi tek importet.”

Megjithatë, zonja Droge thotë se për të pasur energji të vazhdueshme elektrike në Gjermani, vendi duhet të vazhdojë të prodhojë teknologji alternative, ndërkohë që do të vazhdojë të mbështetet tek furnizuesit ndërkombëtarë të energjisë. //ad//

XS
SM
MD
LG