Lidhje

Kosovë: Parlamenti voton sot koalicionin e ri qeverisës


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi publikoi mbrëmë emrat e anëtarëve të kabinetit të tij që pritet të votohet sot në Parlamentin e Kosovës. Ish drejtuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës arriti një marrëveshje me Lidhjen Demokratike, rivalen e vjetër politike, për qeverisjen e vendit në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 17 nëntorit.

Sipas marrëveshjes, Partisë Demokratike i takojnë posti i kryeministrit të cilin do ta mbajë vetë zoti Thaçi, ai i kryetarit të Parlamentit ku do të jetë sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Jakup Krasniqi dhe një post i zëvendëskryeministrit që do ta drejtojë Hajredin Kuqi. Kësaj partie i takojnë edhe shtatë ministri:

Ministria e Energjetikës dhe Minierave - Justina Pula Shiroka

Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë - Enver Hoxhaj

Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit - Fatmir Limaj

Ministria e Ekonomisë dhe Financave - Ahmet Shala

Ministria e Punëve të Brendshme - Zenun Pajaziti

Ministria e Bujqësisë e Pylltarisë - Idriz Vehapi

Ministria e Shërbimeve Publike – Arsim Bajrami

Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë postin e presidentit të cilin pritet ta mbajë presidenti aktual Fatmir Sejdiu, një post të zëvendës kryeministrit ku është vendosur Ramë Manaj sekretar i përgjithshëm i kësaj partie e cila do të ketë edhe pesë ministri:

Ministria e Drejtësisë - Nekibe Kelmendi

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve - Skënder Hyseni

Ministria e Shëndetësisë - Alush Gashi

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë - Lutfi Zharku

Ministria e Pushtetit Lokal – Sadri Ferati

Partive politike serbe u janë ndarë dy ministri:

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – Boban Stankovic

Ministria e Kthimit dhe Komuniteteve -

Ndërsa pakicave të tjera u ka mbetur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor - Mahir Yakcilar

Parlamenti i Kosovës pritet të votojë sot për këto institucione. Por, mbledhjes së sotme të Parlamentit do t'i paraprijnë edhe një varg këshillimesh edhe me autoritetet ndërkombëtare për mënyrën e votimit të institucioneve. Fillimisht është thënë se të gjitha postet, ai i presidentit, kabinetit qeverisës dhe udhëheqja e parlamentit do të votohen në pako, por kjo formë bie ndesh me Kornizën Kushtetuese me të cilën qeveriset Kosova e cila parasheh që presidenti duhet të zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para të votimeve dhe nëse nuk ka sukses atëherë në raundin e tretë zgjidhet me shumicën e deputetëve. Mandatari për postin e kryeministrit Hashim Thaçi, kryetar i partisë Demokratike fituese e zgjedhjeve tha se kjo çështje do të zgjidhet në orët e hershme të mëngjesit të sotëm. Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu i cili kandidohet për postin e presidentit që e mban aktualisht, është i bindur se votimet e sotme do t'i japin bekimin koalicionit të ri qeverisës.

Por, partitë politike që kanë mbetur në opozitë kanë paralajmëruar mundësinë që të mos votojnë fare në mbledhjen e sotme të Parlamentit. Ato kanë shprehur rezervat e tyre te thella për koalicionin e ri qeverisës si dhe kanë kritikuar ashpër disa pjesë të marrëveshjes së arritur ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ato e cilësojnë të papranueshme posaçërisht pjesën e marrëveshjes për koalicionin ku partnerët zotohen se "nuk do të ketë mocion votëbesimi për presidentin dhe kryeministrin e vendit". Për, mandatarin Hashim Thaçi kjo marrëveshje ka të bëjë vetëm me partnerët e koalicionit dhe nuk e pengon opozitën që të ndërmarrë të gjitha veprimet që i takojnë përfshirë edhe mocionin e votëbesimit. //ii

XS
SM
MD
LG