Lidhje

Parlamenti i Kosovës rizgjedh Fatmir Sejdiun President të vendit


Pas tri raunde votimesh, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, u rizgjodh në postin e presidentit të vendit që do ta drejtojë gjatë pesë viteve të ardhshme.

Votimi i lehtë i kryetarit të Parlamentit, Jakup Krasniqi, dhe anëtarëve të kryesisë u pasua me një votim të vështirë për presidentin. Zotit Sejdiu i cili dha dorëheqje në mëngjes për t’u kandiduar më pas nga partia e tij Lidhja Demokratike e Kosovës iu vu përballë Naim Maloku nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në dy raundet e para të votimeve te fshehta, zoti Sejdiu mori 62 përkatësisht 61 vota kundruall zotit Maloku i cili mori 37 vota. Pas një pushimi të shkurtër dhe këshillimeve të deputetëve dhe udhëheqësve të partive politike edhe më zyrtarë të lartë të bashkësisë ndërkombëtare, në raundin e tretë të votimeve zoti Sejdiu mori 68 vota, të cilat i siguruan atij postin Presidentit.

Pas rizgjedhjes së tij në postin e Presidentit të vendit, Fatmir Sejdiu, tha se do të jetë bashkues i spektrit politik në Kosovën e pavarur. Ai tha se do të mbrojë ligjshmërinë në Kosovë, ndërsa kujdes të veçantë do t’i kushtojë mbrojtjes së të drejtave të pakicave, në veçanti asaj serbe.

“Institucionet e Kosovës, Presidenca Qeveria dhe Kuvendi si institucionet më të larta përfaqësuese dhe ekzekutive do të përmbyllin me sukses procesin e pavarësimit të Kosovës, në realizim të vullnetit legjitim të popullit të saj dhe do të miratojnë Kushtetutën e shtetit të ardhshëm të Kosovës. Do të zgjerojnë korpusin legjislativ në përputhje me Pakon e Presidentit Ahtisaari dhe me standardet më të larta bashkëkohëse ndërkombëtare, si dhe gjithë korpusin legjislativ të nevojshëm për të mbështetur funksionimin institucioneve dhe të mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve. Do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme që të përshpejtojnë integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike si orientim themelor i shtetit të Kosovës”, - tha Presidenti i rizgjedhur, Fatmir Sejdiu.

Zoti Sejdiu, i cili pati trashëguar me post presidentin e ndjerë të Kosovës Ibrahim Rugova, do të vazhdojë të drejtojë vendin deri në vitin 2013. Zgjatja e mandatit të Presidentit, por edhe të qeverisë, është bërë me ndërhyrjen e Shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joakim Ryker, i cili bëri ndryshimet e nevojshme në kornizën kushtetuese.//lk

XS
SM
MD
LG