Lidhje

Departamenti amerikan i Shtetit shpreh mbështetje të plotë për zgjidhjen sa më shpejt të statusit të Kosovës


Nën Sekretari amerikan i Shtetit Nikolas Bërns shprehu sot mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen sa më shpejt të statusit përfundimtar të Kosovës dhe u bëri thirrje udhëheqësve të saj të punojnë në mënyrë paqësore dhe me përgjegjshmëri gjatë periudhës që ata vënë në zbatim zgjidhjen e statusit. Zoti Bërns i bëri këto komente duke përshëndetur Presidentin Fatmir Sejdiu, të Lidhjes Demokratike dhe Kryeministrin Hashim Thaçi, të Partisë Demokratike, për formimin e qeverisë së koalicionit.

Zyrtari i lartë amerikan i përshëndeti të dy udhëheqësit për deklaratat e tyre në mbështetje të një Kosove gjithëpërfshirëse, ku popullsia serbe dhe pakicat e tjera janë të mirëpritura. Zoti Bërns po ashtu theksoi angazhimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar udhëheqjen e re të Kosovës të përballojë sfidat e shumta të së ardhmes.

Shtetet e Bashkuara besojnë se zbatimi me shpejtësi i Planit Ahtisari, përfshirë rekomandimet e tij për pavarësi të mbikqyrur dhe për mbrojtjen e pakicave, do të nxisë stabilitet rajonal, duke u krijuar mundësi si Serbisë edhe Kosovës të ecin përpara në rrugën drejt një bashkëpunimi më të madh me NATO-n dhe Bashkimin Evropian. (ze)

XS
SM
MD
LG