Lidhje

Thaçi: Kosova e pavarur do të jetë vendi i të gjithë qytetarëve të saj


Cilat do të jenë disa nga sfidat kryesore me të cilat do të përballet qeveria e re e Kosovës, në kushtet kur vendi pritet të shpallë pavarësinë dhe si do të përpiqet ajo t'i realizojë ato? Për të biseduar për disa nga këto çështje, Zëri i Amerikës kishte të ftuar për një bisedë telefonike në programin televiziv “Ditari” kryeministrin e ri të Kosovës, Hashim Thaçi.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi mirëmbrëma. Ju uroj për zgjedhjen tuaj në postin e Kryeministrit.

Hashim Thaçi: Ju faleminderit.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi ju jeni shprehur se pavarësia e Kosovës do të jetë përparësia e qeverisë suaj dhe keni thënë gjithashtu se do ta shpallni pavarësinë në bashkërendim me SHBA-në dhe BE-në. Kur pritet të ndodhë kjo?

Hashim Thaçi: Pavarësia e Kosovës, jo vetëm që do të jetë përparësia dhe fokusimi kryesor i qeverisë së Kosovës, por ajo do të jetë vetë jeta e qytetarëve të Kosovës, e ardhmja e tyre, përkushtimi i të gjitha institucioneve tona, përkushtimi i të gjithë spektrit politik e i gjithë qytetarëve të Kosovës, në periudha të ndryshme historike. Tani Kosovën e kemi përgatitur edhe për zyrtarizim të këtij realiteti të ndërtuar në qershor të vitit 1999, institucionet e Kosovës janë të përgatitura dhe unike për këtë; Kosova do të jetë një vend me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, me të drejta të barabarta, dhe të afirmuara për komunitetet jo-shqiptare, një vend i të gjithë qytetarëve të Kosovës; të gjitha përkushtimet e Kosovës do të jenë të koordinuara ngushtë me partnerët dhe miqtë tanë SHBA, BE dhe NATO-n. Jemi në një rrugë të mbarë, bota perëndimore na beson ne përkushtimet tona; edhe ne kemi besim të plotë se ky proces do të përmbyllet shumë shpejt dhe Kosova po e finalizon procesin e shtetndërtimit, sovranitetit dhe ndërtimit në një rendi demokratik. Shumë shpejt presim vendimin ndërkombëtar, fillimin e njohjes ndërkombëtare, një njohje kualitative dhe të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare, SHBA-së BE-së dhe të vendeve përreth, por në të njëjtën kohë, edhe një njohje sa më të madhe numerike.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, një pyetje lidhur me kohën kur do të ndodhë pavarësia. A do te prisni ju për përfundimin e zgjedhjeve ne Serbi për ta shpallur pavarësinë e Kosovës?

Hashim Thaçi: Zgjedhjet në Serbi nuk do të ndikojnë asesi në Kosovë; ne duam të kemi një Kosovë të pavarur dhe demokratike, natyrisht në një rajon demokratik; do të funksionojmë si shtete të veçanta, edhe Kosova, edhe Serbia, si dy fqinjë me të kaluar të hidhur, por me shpresë për të ardhme të relacioneve demokratike; Prishtina do të ndërtojë raporte të shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje, edhe me Maqedoninë, me Shqipërinë dhe me Malin e Zi, por pavarësia e Kosovës, patjetër do të instalojë, paqe, stabilitet dhe hapje të procesit integrues të rajonit në strukurat e BE-së dhe ato euroatlantike. Është me interes edhe për Kosovën që të ketë demokraci në Serbi, që Serbia t’i kthehet vetevetes dhe asesi të mos mbetet peng e së kaluarës, e mentalitetit të shekullit të së kaluarës; prandaj çdo zhvillim demokratik atje, është një zhvillim i mirë edhe për Prishtinën, edhe për komunitetin e serbëve në Kosovë, sepse ne e respektojmë interesimin legjitim të autoriteteve të Beogradit, përmes institucioneve të Kosovës, edhe për komunitetin serb në Kosovë, por është me rëndësi sot, që autoritetet serbe, lokale të Kosovës, kanë marrë pjesë disa prej tyre në zgjedhjet e lira dhe demokratike të 17 nëntorit, janë pjesë e Parlamentit të Kosovës, janë pjesë e qeverisë sime, janë dy ministra, të cilët do të udhëheqin dikastere të rëndësishme, dhe Kosova ka ndërtuar, lirisht mund të themi, insitucione stabile, respektive dhe shumëetnike, me perspektivë të sigurtë.

Zëri i Amerikës: Pikërisht, le të qëndrojmë pak tek çështja e komuniteteve. Ju, por edhe udhëheqës të tjerë të Kosovës, keni premtuar për mbrojtjen e pakicave serbe në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë. Një pjesë e banorëve serbë kanë thënë se nëse Kosova shpall pavarësinë, ata do të largohen prej andej. Çfarë masash konkrete do të marrë qeveria juaj për mbrojtjen e të drejtave të pakicave?

Hashim Thaçi: Pavarësia e Kosovës nuk është në intersin dhe të mirën e vetëm shqiptarëve, pavarësia e Kosovës është në interesin e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallime etnike; të drejtat e serbëve janë të respektuara dhe të garantuara prej institucioneve të Kosovës, në kuptimin më afirmativ të mundshëm dhe mund të them se ne kemi marrë përgjegjësi për respektimin e minoriteteve, më tepër se çdo vend, mund them, lirisht, edhe në Evropë, të drejta këto të garantuara edhe me kushtetutën e re të Kosovës; mund të ketë opinone të ndryshe, opinione, të cilat duhen shikuar edhe me sy kritik, por edhe duhen vlerësuar. Insitucionet e Kosovës, qeveria e Kosovës, do të bëjnë punën më të mirë të mundshme dhe do të instalojnë kulturën e komunikimit, të dëgjimit, të vizitave, për t’i dëgjuar hallet, shqetësimet dhe problemet e komunitetit serb dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, ... që të investojmë në përmirësimin e relacioneve ndëretnike; është e rëndësishme të theksohet se ka dy vite, kur nuk ka incident ndëretnik, apo të motivuar mbi baza etnike, prandaj baza është e mirë, vullneti ekziston, përkushtimi po, dhe vizioni është shumë i qartë, për ndërtimin e Kosovës së pavarur dhe demokratike.

Zëri i Amerikës: Le të kalojmë tek disa sfida të tjera që ka aktualisht qeveria e Kosovës. Çështja e statusit duket se ka lënë në hije problemet e tjera të mëdha, me të cilat ndeshet vendi, ekonomia, për shembull, duket se ka mbetur në plan të dytë, duke shkaktuar një sërë problemesh, mes tyre edhe papunësia e lartë. Çfarë mendoni të bëhet për zhvillimin e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë?

Hashim Thaçi: Çështja e statusit ka qenë në fakt, përkushtim i të gjithë spektrit politik kosovar, i institucioneve të Kosovës dhe mirëkuptim për këtë preokupim të gjithanshëm ka patur nga ana e qytetarëve të Kosovës dhe nga spektri politik kosovar. Për statusin politik do të punojmë të gjithë bashkarisht, por edhe për zhvillimin ekonomik. E thashë, që zgjidhja e çështjes së pavarësisë së Kosovës nuk nënkupton edhe tejkalimin e sfidave të tjera, me të cilat ballafaqohet vendi dhe qytetarët. Kosova po pavarësohet në proces të suksesit, por të një niveli shumë të ulët të zhvillimit ekonomik të vendit. E di dhe e njoh përgjegjësinë që kam marrë në këto momente të vështira, për të udhëhequr atë që më kanë besuar qytetarët e Kosovës, qeverinë e Kosovës. Ekonomia e Kosovës është në një nivel shumë të ulët, por unë dua të besoj në fillimin e ndryshimeve, të cilat jemi zotuar t’i bëjmë, që ato do të hetohen shpejt në jetën e qytetarëve të Kosovës, për të mirën e vendit; prandaj ekipe të tëra të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë që kam në kabinetin tim, janë duke bërë projekte konkrete, që jemi zotuar edhe gjatë fushatës elektorale, për të filluar zhvillimin ekonomik, për të filluar reformat në ekonomi, politikë dhe legjislacion, për të filluar me projekte të qarta edhe me sektorin e energjetikës, pasi Kosova është në terr dhe ne jemi zotuar ta qesim në dritë...; kam besim se në këtë proces do të punohet gjithashtu edhe për infrastrukturën, që është tejet e dobët, por do të punojmë që të ketë një fillim të suksesshëm dhe do të kemi projekte konkrete për modernizimin e infrastrukturës; do të ketë reforma edhe në agrokulturë. Zgjidhja e statusit politik dhe pavarësia e Kosovës hap hapësirë të sigurtë edhe legale, për integrim edhe të insitucioneve, por edhe të Kosovës në strukturat e tjera ndërkombëtare, si edhe për përfitime financiare nga strukturat ndërkombëtare; fokusi kryesor i imi do të jetë edhe në edukim. E kam trajtuar dhe e trajtoj edukimin si ekonomi: një edukim i zhvilluar, i avancuar, që nënkupton edhe fillimin e zhvillimit eknomik; do të kemi edhe një investim që të kemi edhe qendra kompjuterike në çdo shkollë të Kosovës...; përkushtim do të kemi po ashtu në shëndetësi, por edhe për pensionistët, të cilët do të kenë një zyrë të veçantë në zyrën time, e cila do të merret me përmirësimin e jetës së pensionistëve; natyrisht, përkushtim do të kemi edhe për shoqatat e veteranëve të luftës, që gjithashtu do të kenë një zyrë pranë meje.

Zëri i Amerikës: Një nga problemet shume te perfolura ne Kosove, eshte ai ai korrupsionit. A do të dalë qeveria juaj me një strategji për të luftuar korrupsionin?

Hashim Thaçi: Qeveria dhe unë personalsiht, jam zotuar që do jemi pa kompromis në betejën kundër korrupsionit. Secili nga ne ndjehet i turpëruar që Kosova është në vendin e katërt për korrupsion. Jemi zotuar që do ta bëjmë çdo qytetar që të ndjehet mirë që jeton në Kosovë, dhe jemi zotuar që ata të ndjehen mirë me punën, përkushtimin, dhe me respektimin e ligjit nga qeveria e re e Kosovës, të cilën unë do ta udhëheq; do të jetë toleranca zero në raport me korrupsionin, do të punojmë me reforma në legjislacion, nuk do të ndodhin revanshe, apo hakmarrje politike, do të ketë respektim të ligjit, gjithësesi, përkrahje e opozitës politike, nga unë në veçanti; më vjen mirë që është përkrahur porgrami i qeverisë sonë dhe që është përkrahur edhe nga opozita, prandaj, edhe shumica e Parlamentit të Kosovës, është një kabinet kredibil, i përgjegjshëm, i aftë profesionalisht, për të zabtuar qëllimin e vizionit të përcaktuar më herët... pra do të jetë pa kompromis në raport me korrupsionin dhe nuk do të toleroj të përsëriten fenomene të tilla nga autoritete aktuale, të cilët janë zotuar se do të punojnë me përgjegjësi më të lartë kombëtare dhe politike...

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, edhe për një pyetje. Qyteti i Mitrovicës, "de facto" është i ndarë. A ekziston mundesia e integrimit te ketij qyteti, apo pjesa veriore po shkon drejt shkëputjes. Cila eshte strategjia e qeverise suaj per Mitrovicen?

Hashim Thaçi: Tashmë Mitrovica ka një kryetar të shkëlqyeshëm, të përkrahur fuqishëm nga institucionet e Prishtinës, nga SHBA dhe BE, zotin Bajram Rexhepi, që është duke punuar maksimalisht për integrimin e qytetit dhe të komuniteteve, është zotimi i të gjitha institucioneve të Kosovës që të punojë në drejtim të zgjerimit të autoritetit lokal dhe atij ndërkombëtar në tërë territorin e Kosovës; territori i Kosovës është i njohur dhe i pranuar nga e gjithë bota. Mitrovica, do të jetë e bashkuar dhe autoriteti i institucioneve të Kosovës do të funksionojë në të gjithë territorin e Kosovës. Ky është zotimi ynë, kjo është mbështetja e Washingtonit dhe e Brukselit dhe në këtë drejtim nuk do të ketë luhatje, por vetëm do të ketë ecje përpara.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, ju faleminderit për intervistën dhe ju uroj sukses në punën tuaj.

XS
SM
MD
LG