Lidhje

OSBE propozon reforma në politikat ndëshkimore dhe në sistemin e burgjeve


OSBE i bëri thirrje sot institucioneve të drejtësisë shqiptare që të ndryshojnë ligjet për të përdorur më shumë dënimet alternative, si pjesë e luftës kundër kriminalitetit me standarte bashkëkohore.

Zëvendës-kryetari i Pranisë së OSBE-së në Tiranë, ambasadorit Aleks Finen, deklaroi në një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të drejtësisë se kushtet në burgje janë të rënda dhe dënimet alternative ndikojnë mjaft në rehabilitimin e të dënuarve në komunitet.

“Reforma në sistemin e drejtësisë është një nga nevojat më të mëdha që ka Shqipëria aktualisht, edhe për shkak të gjendjes së burgjeve, kostos së lartë të trajtimit të të dënuarve. Dënimet alternative janë më pak të kushtueshme, dhe nëse përdoren drejt, ato rritin sigurinë publike dhe rehabilitojnë më shpejt të dënuarit,” thotë zoti Finen.

OSBE ka përgatitur me specialistët shqiptarë disa projekt-ligje dhe ndryshime ligjore sipas kërkesave të KE dhe OKB.

“Këto projekt-ligje synojnë uljen e popullatës në burgje, rritjen e cilësisë së jetës në burgje, dhe rehabilitimin e të dënuarve me ndëshkime alternative. Autoritetet e drejtësisë, vecanërisht gjyqtarët, duhet të kenë më shumë besim tek dënimet alternative, bazuar në të dhënat sociale të të pandehurve”, thotë ambasadori Finen.

Ai theksoi se sistemi i burgjeve në Shqipëri është në kushte të këqija jetese, infrastrukturë të dobët, higjenë të pakët, ndërkohë që një nga mungesat më të mëdha është një institucion i posacëm për të ndarë të dënuarit e mitur nga të tjerët.

Bashkimi Europian kritikoi në nëntor Shqipërinë në Raportin e Porgresit Vjetor se “drejtësia shqiptare përdor rrallë ndëshkimet alternative kundrejt dënimit me burg, ligji për këto lloj dënimesh po vonohet së miratuari, ndërsa lirimi me kusht nuk funksionon. Për shkak të këtyre mungesave, burgjet shqiptare janë tejmbushur me të dënuar për krime nga më të voglat e deri tek më të rëndat. (ze)

XS
SM
MD
LG