Lidhje

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, qëndrime diametralisht të kundërta për Kosovën


Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë qëndrime diametralisht të kundërta për çështjen e Kosovës. Megjithëse teknikisht është ende pjesë e Serbisë, që nga viti 1999, Kosova ka qenë nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s. Kjo pasoi fushatën mbi dymujore të NATO-s që i dha fund shtypjes serbe ndaj shqiptarëve.

Shqiptarët e Kosovës duan pavarësinë dhe gëzojnë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Serbia dhe Rusia e kundërshtojnë me forcë pavarësinë. Negociatat katërmuajshe përfunduan pa marrëveshje dhe Rusia ka kërcënuar se do të vërë veton nëse propozimi paraqitet për votim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Robert Legvold, një ekspert i çështjeve ruse në Universitetin e Columbias thotë se çështja e sovranitetit ka shumë rëndësi për Rusinë.

“Që në fillim Rusia i ka kundërshtuar deklaratat e pavarësisë të këtij lloji që sjellin si rezultat njohjen e sovranitetit nga komuniteti ndërkombëtar, sepse e shqetëson separatzimi brenda territorit të saj, përfshirë Çeçeninë. Megjithatë situata është e ndërlikuar sepse reagimi Rus nuk është i njëjtë për raste paralele brenda rajonit të saj si Abkazia në Gjeorgji, Transdniestria në Moldavi, dhe ndoshta Osetia jugore në Gjeorgji”.

Ish-Sekretari amerikan i shtetit dhe ish-ambasadori amerikan në Jugosllavi Lawrence Eagleburger thotë se pavarësia e Kosovës mund të ndikojë në konflikte të tjera në botë.

“Në fakt lidhur me këtë çështje mund të shtrohet një pyetje shumë serioze që mund të përdoret lehtësisht nga të tjerë në pjesë të tjera të botës dhe ndoshta me shumë më pak legjitimitet sesa në rastin e Kosovës, ku në fakt serbët kanë vepruar mizorisht në të kaluarën. Por mendoj se kjo traditë është shume rrezikshme: Çfarë mund të bëjnë kurdët në Irak, në Iran dhe në Turqi? Mund të përmend gjithë ato vende ku mund të përsëritet një situatë e ngjashme dhe ku ky rast mund të kthehet në shembull për t’u ndjekur nga të tjerët”.

Zoti Eagleburger thotë se mosmarrëveshja për Kosovën vë kundër njëri-tjetrit parimet e sovranitetit dhe vetë-vendosjes.

“Mua më shqetëson seriozisht qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar, pjesë e së cilit janë edhe Shtetet e Bashkuara, që mbrojnë shkëputjen e një pjese të territorit të një vendi dhe bërjen e tij të pavarur. Nuk mendoj se do të ishte e udhës të ndërtonim një traditë të tillë. Ka arsye shumë të forta për kundërshtimin ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për ta shkëputur Kosovën nga Serbia. Mund të argumentohet sa të duash për problemet mes Serbëve dhe kosovarëve, por ka një çështje tjetër këtu që është tradita ndërkombëtare sipas së cilës pa pritur e pa kujtuar komuniteti ndërkombëtar ka të drejtën që të urdhërojë ose t’i bëjë presion për shkëputjen e një territori duke i thënë vendit në fjalë që ai nuk është më pjesë e tij”.

Ish-Këshilltari i Shteteve të Bashkuara për Sigurinë Kombëtare Gjeneral Brent Scowcroft është i një mendjeje.

“Unë kam përshtypjen që kemi ecur më shpejt seç duhet me Kosovën. Nuk besoj se janë pjekur kushtet, që të lihet më vete. Edhe në Bosnje, ne kemi qenë në Bosnje pesë vjet më shumë se në Kosovë dhe pa një prani Evropiane, ajo do të kthehej në gjendjen që ka qenë më parë. Këto janë çështje shumë të vështira dhe emocionale. Dhe në Kosovë ekziston mundësia për spastrim etnik, ekziston mundësia për radikalizimin e Serbisë, është një çështje shumë delikate. Në fund të fundit, Kosova është psikologjikisht qendra shpirtërore e Serbisë, vendi ku i pati fillesat Serbia. Aty janë rrënjët e tyre fetare. Katër korriku i tyre është beteja e Kosovës dhe ka një kuptim të thellë për ta. Dhe mendimi im është se ne po shtyjmë më shumë se ç’duhet”.

Shumë analistë besojnë se me dështimin e negociatave për të ardhmen e Kosovës, shqiptarët do ta shpallin pavarësinë brenda disa muajsh.

Jason Lyall, ekspert për çështjet e Rusisë në Universitetin Princeton, thotë se një gjë e tillë mund të kishte pasoja të rënda.

“Rreziku është që tani që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa nuk arrijnë dot një marrëveshje me Rusinë, veprimet do të ndërmerret nga faktorët vendas në terren dhe do të dalë jashtë kontrollit të secilës prej këtyre fuqive. Sigurisht që është e qartë që politikanët e Kosovës duan pavarësinë dhe e duan tani. Po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Ata mund të veprojnë jashtë Kombeve të Bashkuara dhe të deklarojnë pavarësinë e Kosovës pa miratimin e Rusisë. Rreziku është që gjendja të dalë jashtë kontrollit dhe asnjë nga këto fuqi të mos kontrollojë dot ngjarjet në terren. Kështuqë mund të krijohen kushtet për një tjetër spastrim etnik, ose të paktën një konflikt mes palëve në Kosovë”.

Por Robert Legvold i Universitetit të Columbias parashikon një përfundim më paqësor.

“Serbët kanë thënë se nëse shpallet pavarësia dhe të tjerët janë të gatshëm ta njohin atë, ata do ta çojnë çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, çka të bën të mendosh se serbët po mendojnë për rrugë diplomtike, jo militantizëm apo një përgjigje agresive”.

Zoti Legvold dhe të tjerë u bëjnë thirrje palëve që të vazhdojnë diskutimet për të gjetur një kompromis dhe të shmangin një ndryshim kufijsh në Evropën Lindore, një përpjekje që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thonë se e kanë ezauruar.//kk//

XS
SM
MD
LG