Lidhje

Qeveria maqedonase gati të tërheqë vendimin për vizat


Qeveria e Maqedonisë po përgatitet të tërheqë vendimin e fundit për vënien e një regjimi vizash për shtetasit shqiptarë.

Zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë ka bërë të ditur se të marten qeveria në një seancë do të kërkojë gjetjen e mënyrave për lehtësimin e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë. Edhe në Shkup ka pasur reagime të mëdha jo vetëm nga partitë shqiptare, ndaj vendimit të qeverisë së Maqedonisë për regjimin e ashpër të vizave.

Pas reagimeve të shumta në Tiranë por dhe në Shkup, qeveria e Maqedonisë duket se po detyrohet të tërheqë vendimin për vënien e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë. Kryeministri Nikolla Gruevski, pas një takimi me partnerin e koalicionit qeveritar, Menduh Thaçin e PDSH-së, duket se ka pranuar që shtetasit shqiptarë të hiqen nga procedurat e reja për vizat. Zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë Ivica Boçevski u ka thënë mjeteve të informimit se ka mundësi që ligji i ri për qëndrimin e shtetasve të huaj në Maqedoni të mos vlejë për Shqipërinë.

Qeveria do ta rishikojë të martën vendimin e marrë ditë më parë për të gjetur mundësi të tjera për kapërcimin e gjendjes së krijuar, ka deklaruar zëdhënësi. Ndërkohë, kryeministri Nikolla Gruevski, i cili do ta vizitojëTiranën brenda pak javësh, do të përpiqet të gjejë një zgjidhje afatgjate për çështjen e vizave m homologun e tij kryeministrin Berisha.

Vendimi i ministrisë së jashtme për regjimin e vizave ka hasur në kundërshtim të prefektëve të Ohrit e Strugës dhe punonjësve të hotelierisë së këtyre dy qyteteve të cilat thithin shuma të konsiderueshme të ardhurash nga turistët shqiptarë.

Nga ana tjetër, Qeveria, Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe shumë maqedonas etnikë dëshirojnë që Shqipëria të heqë taksat e vizave prej dhjetë eurosh për maqedonasit etnikë ashtu siç i ka hequr për shqiptarët e Maqedonisë. //IB

XS
SM
MD
LG