Lidhje

Kule: Universitetet publike duhet t’i paraprijnë integrimit në Europë


Rektori i porsazgjedhur i Universitetit të Tiranës Dhori Kule, thotë se autonomia universitare dhe kërkimi shkencor do të zgjerohen gjatë mandatit të tij. Zoti Kule, i cili drejton edhe Unionin Ekonomik Shqipëri-Kosovë, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve do të marrë një zhvillim të madh menjëherë pas njohjes së pavarësisë së Kosovës. Pas shumë vjetësh dekan i fakultetit ekonomik, rektori i ri i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, u zgjodh në këtë post me një numër të konsiderueshëm votash të studentëve dhe profesorëve në të gjithë fakultetet.

Universitetet publike në Shqipëri, thotë profesor Kule, duhet t’i paraprijnë integrimit në Europë si sektor prioritar që integrohet më natyrshëm me standardet europiane. Duke folur për zhvillimet ekonomike në Shqipëri, profesor Kule tha se logjika e investimeve në infrastrukturë, sidomos në atë rrugore, duhet përshëndetur dhe një prej këtyre rrugëve është rruga Durrës – Kukës. “Mund ta krahasoj me logjikën e funksionimit të organizmit të njeriut, është si hapja e koronareve që organizmi shqiptar dhe më gjërë të ketë një frymëmarrje të lirë.”

Këto lloj investimesh vënë në lëvizje ekonominë nga pikëpamja praktike. Komunikimi me Kosovën do të bëhet i natyrshëm dhe kjo natyrshmëri do realizohet kur të përfundojë edhe rruga. Pra rruga Durrës-Kukës është e domosdoshme për të patur një komunikim ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës, tha profesor Kule. “Problemet e tjera janë të karakterit pozicional dhe ligjor, sepse jemi në pritje për ngjarjen historike të pavarësisë së Kosovës. Kur Kosova të jetë e pavarur komunikimi i të gjitha natyrave do të jetë më i konsoliduar. Prandaj e shoh si një pikë jashtëzakonisht të fuqishme këtë rrugë”. //ib

XS
SM
MD
LG