Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Rusi në një kohë ndryshimesh politike


Presidentit rus Vladimir Putin i kanë mbetur vetëm pak muaj në detyrë, ndërkohë që mandati i presidentit Bush përfundon për pak më shumë se një vit.

Shumë analistë bien dakord se marrëdhëniet mes Washingtonit dhe Moskës nuk janë të mira. Ekspertët thonë se 2007-a u karakterizua nga një retorikë e fortë, veçanërisht nga pala ruse, si edhe mosmarrëveshje të mprehta për çështje kyçe.

Si shembull të retorikës së ashpër, analistët përmendin një fjalim që Presidenti Putin dha në shkurt në një konferencë ndërkombëtare në Mynih të Gjermanisë. Udhëheqësi rus kritikoi me forcë politikën e jashtme amerikane, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përpiqen që ta konsolidojnë pozitën e vet për t’u kthyer në fuqi botërore mbizotëruese.

Ish-Këshilltari i Shteteve të Bashkuara për Sigurinë Kombëtare, Gjeneral Brent Scowcroft thotë se nuk është i befasuar nga gjuha e ashpër.

“Për mendimin tim, në një fare mase ky është një qëndrim tipik rus. Ne duhet t’i rikthehemi për ta analizuar përsëri, fundit të Luftës së Ftohtë. Në perceptimin tonë ishte një përfundim pa probleme. Por mendoj se ne sikur nuk e vumë re se rusët duhet të kenë provuar një ndjenjë të thellë poshtërimi, kur Rusia u shndërrua nga njëra prej dy superfuqive në një vend të cilit askush nuk i kushtonte vëmendje, nëse nuk ia kishin nevojën. Dhe mendoj se kjo ishte një plagë e thellë në psikologjinë ruse. Dhe tani pas rënies së plotë në vitin 1998, Rusia është kthyer në një fuqi të madhe, kryesisht falë eksporteve të energjisë. Dhe mendoj se Putin po përfiton nga kjo për të thënë se Rusia nuk do të lejojë më të merret nëpër këmbë, do që t’i dëgjohet zëri dhe të ketë një vend të rëndësishëm në çdo tryezë”.

Analistët thonë se një nga arsyet kryesore për mosmarrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë planet e Uashingtonit për të vendosur një sistem për mbrojtjen nga raketat në Evropën Lindore, një pjesë në Poloni dhe tjetra në Republikën Çeke. Shtetet e Bashkuara thonë se kjo lloj mbrojtjeje është e nevojshme për t’u bërë ballë kërcënimeve të mundshme nga vende si Irani dhe nuk ka si objektiv Rusinë.

Andrew Kuchins, një ekspert i çështjeve ruse në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se Moska është kundër një plani të tillë sepse “në të mishërohen dy frikat më të mëdha të Rusisë lidhur me sigurinë: Mbrojtjen nga raketat dhe zgjerimin në drejtim të Lindjes së NATO-s”.

“Fakti që këto dislokime do të bëhen në ish-vende anëtare të Paktit të Varshavës, mendoj se ka ngarkesë të veçantë për rusët. Ata e dinë që ky sistem nuk e kërcënon aspak mbrojtjen ruse. Rusët kanë mijëra raketa bërthamore dhe 10 interceptorët në Poloni është e qartë se nuk e përballojnë një kërcënim të tillë. Pra nuk është ky shqetësimi kryesor. Mendoj se nga pala ruse ekziston gjithmonë një shqetësim më afatgjatë, pasi ata mendojnë se vërtet ky sistem mund të mos i kërcënojë aktualisht, por problemi është se çfarë forme do të ketë sistemi pas 15, 20, 25 vjetësh?”

Zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë vazhdojnë të takohen rregullisht në një përpjekje për të gjetur një kompromis.

Një çështje tjetër ku të dyja palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta është ajo e Kosovës.

Shqiptarët e Kosovës duan pavarësinë dhe gëzojnë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Serbia dhe Rusia e kundërshtojnë me forcë pavarësinë. Negociatat katërmuajshe përfunduan pa marrëveshje dhe Rusia ka kërcënuar se do të vërë veton nëse propozimi paraqitet për votim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ish-Sekretari amerikan i shtetit dhe ish-ambasadori amerikan në Jugosllavi Lawrence Eagleburger thotë se mosmarrëveshja për Kosovën vë kundër njëri-tjetrit parimet e sovranitetit dhe vetë-vendosjes.

“Mua më shqetëson seriozisht qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar, pjesë e së cilit janë edhe Shtetet e Bashkuara, që mbrojnë shkëputjen e një pjese të territorit të një vendi dhe bërjen e tij të pavarur. Nuk mendoj se do të ishte e udhës të ndërtonim një traditë të tillë. Ka arsye shumë të forta për kundërshtimin ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për ta shkëputur Kosovën nga Serbia. Mund të argumentohet sa të duash për problemet mes Serbëve dhe Kosovarëve, por ka një çështje tjetër këtu që është tradita ndërkombëtare sipas së cilës pa pritur e pa kujtuar komuniteti ndërkombëtar ka të drejtën që të urdhërojë ose t’i bëjë presion për shkëputjen e një territori duke i thënë vendit në fjalë që ai nuk është më pjesë e tij”.

Robert Legvold, një ekspert i çështjeve ruse në Universitetin e Columbias thotë se çështja e sovranitetit ka shumë rëndësi për Rusinë.

“Që në fillim Rusia i ka kundërshtuar deklaratat e pavarësisë të këtij lloji që sjellin si rezultat njohjen e sovranitetit nga komuniteti ndërkombëtar, sepse e shqetëson separatzimi brenda territorit të saj, përfshirë Çeçeninë. Megjithatë situata është e ndërlikuar sepse reagimi Rus nuk është i njëjtë për raste paralele brenda rajonit të saj si Abkazia në Gjeorgji, Transdniestria në Moldavi, dhe ndoshta Osetia jugore në Gjeorgji”.

Shumë ekspertë thonë se marrëdhëniet mes Washingtonit dhe Moskës nuk do të ndryshojnë së shpejti, sepse të dy presidentëve po u përfundon mandati. Ata shtojnë se në pritje të zgjedhjeve në të dyja vendet, këto marrëdhënie do të vazhdojnë të ecin për inerci ndërsa dy vendet presin të kenë udhëheqës të rinj.//kk//

XS
SM
MD
LG