Lidhje

Panairi i produkteve të teknologjisë në Las Vegas


Të apasionuarit pas teknologjisë janë mbledhur në Las Vegas për t’u njohur me shpikjet më të reja. Ekspertët e industrisë që po analizojnë Ekspozitën e Artikujve Elektronikë për Konsum thonë se këtë vit objektet më tërheqëse nuk janë vetëm më të vogla dhe më të lehta, por janë në gjendje edhe të kryejnë më shumë funksione.

Ekspozita e hapur në Las Vegas është më e madhja në botë për shpikje të reja teknologjike për konsumatorë. Këtë vit mbi 2 mijë e 700 pjesëmarrës kanë sjellë shpikjet e tyre. Ndër më popullorët makina Shevy e tipit Tahoe, e cila ecën pa shofer, si dhe vepra arti të varura në mur që shndërrohen në ekrane të mëdhenj televizioni. Për ata që preferojnë artikuj më të vegjël dore, ka për shembull një telefon celular me një projektor për filma.

Megjithëse asnjë artikull deri tani nuk është veçuar si produkti më i kërkuar i vitit, redaktorja e faqes elektronike CNET.com, Molly Wood, thotë se ekziston prirja për të zgjedhur artikuj që kanë shumë funksione: "Këtë vit po shohim realizimin e idesë së ndërthurjes. Artikujt që janë ekspozuar, për shembull një MP3 ku jo vetëm mund të dëgjosh muzikë, por mund të gjesh edhe udhëzime për vendndodhjen tënde gjeografike, apo një telefon që kryen edhe funksionet e kompiuterit. Kemi edhe një televizor që mund të regjistrojë në memorie transmetimet që jepen, ose mund të lidhet me internetin".

Por këto artikuj jo vetëm që duhet të kenë shumë funksione, por edhe duhet të jenë sa më të vegjël: "Pa dyshim të gjithë artikujt po bëhen më të vegjël. Televizorët po bëhen gjithnjë e më portativë. Për vite me radhë kjo veprimtari ka qenë më tepër ekspozitë televizorësh. Ngado që shkoje shihje ekrane të mëdhenj. Edhe këtë radhë kemi një ekran 150 polsh, por tani po shohim ekrane televizive të inkuadruara në një telefon celular".

Ekranet e reja janë tepër të holla, rreth 3 milimetra. Randy Waynick me kompaninë Sony thotë se ekranet kanë një trashësi sa 3 karta krediti të stivosura bashkë: "Ky fakt do ta ndryshojë industrinë e televizionit pasi kemi arritur të hedhim në treg televizorë më të hollë, më të lehtë dhe me figurë më cilësore. Kjo të krijon mundësi ta vendosësh televizorin në vende ku s’jemi mësuar ta shohim më parë".

Ata që blejnë këta televizorë mund të duan të blejnë edhe kameran më të vogël në botë. Jake Hiore i kompanisë Panasonic, shpjegon: "Panasonic Kjo aparaturë peshon vetëm 400 gramë. Por nga përmasat kjo kamera është thuajse po aq e madhe sa një iPhone".

Nëse blerësi nuk bindet thjesht nga përmasat e shpikjes, Kim Titus i kompanisë Samsung thotë se konsumatorët që ndjekin modën do të pëlqejnë telefonin Armani: "Pa dyshim që kemi parë konstumet e dizenjatorit Armani. Por çfarë shkon më tepër me këtë kostum se sa një telefon Armani. Është i vogël në përmasa dhe shumë elegant". Kompanitë që duan të shesin shpikjet e tyre në këtë ekspozitë thonë se çdo konsumator mund të gjejë këtë radhë mallra që i interesojnë. Organizatorët parashikojnë që veprimtaria e sivjetshme të tërheqë 140 mijë vizitorë. //rd//

XS
SM
MD
LG