Lidhje

Gjysma e pakistanezëve fajësojnë qeverinë për vrasjen e Butos


Sipas një ankete, rreth gjysma e pakistanezëve besojnë se qeveria në një farë mënyrë është përfshirë në vrasjen e ish kryeministres Benazir Buto.

Firma e sondazheve Gallup-Pakistan publikoi rezultatet e një ankete nga e cila del se 48 përqind e pakistanezëve besojnë që agjencitë qeveritare ose politikanë të lidhur me qeverinë janë përgjegjës për vdekjen e zonjës Buto.

Rreth gjysma e të pyeturve mbështesin gjithashtu idenë që vrasja të hetohet nga ekspertë të huaj dhe që djali 19-vjeçar i zonjës Buto, Bilaval, të marrë drejtimin e Partisë Popullore të Pakistanit.

Ish kryeministrja Buto u vra më 27 dhjetor në një sulm vetvrasës me pistoletë dhe me bombë, pas një mitingu fushate në Ravalpindi.

Ndërkaq, Presidenti i Pakistanit Pervez Musharraf hodhi poshtë idenë që Kombet e Bashkuara të hetojnë vrasjen e udhëheqëses së opozitës. Partia e zonjës Buto ka bërë thirrje për një hetim nga ana e Kombeve të Bashkuara, ashtu siç u veprua pas vrasjes së ish kryeministrit libanez Rafik Hariri në vitin 2005.

Zoti Musharraf i tha një gazetë franceze se një hetim i Kombeve të Bashkuara nuk është me vend sepse asnjë shtet tjetër nuk është i përfshirë në vrasjen e zonjës Buto. Ai tha se institucionet e Pakistanit do të merren me hetimin e vrasjes dhe policia britanike do të ndihmojë gjatë këtij procesi.//IB

XS
SM
MD
LG